Një aeroplan komercial është përplasur me një kamion të zjarrfikësve, derisa po tentonte të ngritej në ajër nga pista e aeroportit ndërkombëtar Jorge Chavez në Lima.
Aeroplani i aviokompanisë Latam Airlines po tentonte të ngritej në ajër, kur në një moment u përplas me një kamion të zjarrfikësve, ku si pasojë përfshihet nga zjarri dhe shihet duke “rrëshqitur” në pistë, transmeton Telegrafi.
Nga kjo përplasje kanë humbur jetën dy zjarrfikës, e aeroplani duket se kishte humbur rrotat e pasme kur është përplasur me kamionin, pasi tërë kohën “rrëshqiste” nëpër pistë duke krijuar shkëndija.
Në anën tjetër është bërë e ditur se asnjë pasagjer apo anëtarët e ekuipazhit nuk janë lënduar nga ky incident.
Megjithatë, mbetet e panjohur se pse kamioni për fikjen e zjarrit po lëvizte në mes të pistës, derisa aeroplani po bëhej gati të ngritej në ajër.
Sipas zyrtarëve të Lima Airport Partners (LAP), të gjitha aeroplanët e tjerë që është dashur të aterojnë në këtë aeroport, janë drejtuar për në Panama, Kolumbi dhe destinacione tjera. /Telegrafi/