Site icon Telegrafi

Pllaku dentar dhe guri i dhëmbit

Pas çdo vakti të ushqimit, bakteret krijojnë acide të cilat e dëmtojnë smaltin e dhëmbit, të cilat poashtu mund të shkaktojnë inflamim të mishit të dhëmbit dhe ndihmojnë në shfaqjen e kariesit.

Dr. Majlinda Jusufi
Doktor i stomatologjisë
MyBeautyClinic Prishtinë
tel. 044 333 535
info@mybeautyclinic-ks.com
www.mybeautyclinic-ks.com

Pllaku dentar është depozitim pa ngjyrë dhe i butë i baktereve që formohet në mënyrë konstante në sipërfaqen e dhëmbëve. Ai fillon të formohet pas 4-12 orëve pas larjes së dhëmbëve, prandaj është shumë me rëndësi të pastrohen dhëmbët të paktën dy herë në ditë dhe të përdoren penjtë dentar rregullisht.

Problemet më të mëdha shkaktohen nëse pllaku nuk largohet dhe shndërrohet në gurë të dhëmbit. Ajo mund të formohet për një kohë shumë të shkurtë dhe pas formimit vetëm pastrimi profesional i dhëmbëve te stomatologu mund të bëjë largimin e tij.

Guri i dhëmbit është depozitim i fortë, i cili formohet kur kalciumi dhe fosfatet formojnë kristale në dhëmbë, të cilat me kalimin e kohës bashkohen me pllakun dentar dhe formojnë gurët. Guri i dhëmbit mund të vështirësojë larjen e dhëmbëve me brushë ose përdorimin e penjve dentar. Kjo mund të çojë deri te formimi i kariesit të dhëmbit.

Guri që kontakton me gingivën (mishin e dhëmbëve) mund të irritojë dhe dëmtojë atë dhe me kalimin e kohës nëse nuk mënjanohet mund të shkaktojë sëmundje progresive të mishit të dhëmbëve. Një ndër to është gingiviti, i cili mund të mjekohet me larje të rregullt të dhëmbëve, përdorimin e penjve, shpëlarësit e gojës me përmbajtje antiseptike dhe pastrimin profesional të dhëmbëve te stomatologu.

Nëse nuk mjekohet, gjendja mund të përkeqësohet dhe në mes të dhëmbit dhe mishit të dhëmbit mund të formohet xhepi, i cili mund të infektohet nga bakteret dhe të shkaktojë sëmundjen e quajtur periodontiti, e cila mund të shpie deri te dobësimi i lidhjes mes dhëmbit dhe kockës.

Këshilla për parandalimin e pllakut dhe gurit të dhëmbëve:

▪ Larja e dhëmbëve rregullisht dy herë në ditë për dy minuta. Përdorimi i brushës me fije të buta dhe depërtimi edhe te vendet që lahen mëme vështirësi.

▪ Zgjidhni pastën me përmbajtje të fluorit sepse e parandalon shndërrimin e pllakut dentar në gurë. Fluori, poashtu ndihmon në riparimin e smaltit. Disa pasta kanë përmbajtje të substancës të quajtur triclosan, e cila lufton bakteret e pllakut.

▪ Përdorimi i penjve dentar është metoda më e mirë për të larguar pllakun në mes të dhëmbëve pasiqë me anë të tyre mund të arrijmë në sipërfaqet që me brushë kemi vështirësi.

▪ Përdorimi i antiseptikëve për shpëlarje të gojës ndihmon në zhdukjen e baktereve që formojnë pllakun.

▪ Mënyra e të ushqyerit ka shumë rëndësi në formimin e pllakut dhe gurëve në dhëmb. Ushqimi me përmbajtje sheqeri i shtyn bakteret të lirojnë acide të dëmshme.

▪ Mundohuni të hani ushqim të shëndetshëm dhe të kufizoni sasinë e sheqerit që hani, pasiqë këto ushqime, poashtu ushqejnë edhe bakteret qe gjenden në gojë. Kur të hani sheqerna, lani dhëmbët ose të paktën shpërlani gojën me sasi të mjaftueshme të ujit.

▪ Studimet tregojnë se te duhanpirësit mundësia e formimit të gurëve është me e madhe.

▪ Vizitoni stomatologun tuaj çdo gjashtë muaj për të larguar pllakun dhe gurët e formuar dhe në këtë mënyrë do të parandaloni problemet që këto mund të shkaktojnë. /Telegrafi/

Exit mobile version