Një iniciativë e Zyrës se Rregullatorit të Energjisë(ZRRE) për liberalizim të tregut të energjisë, po shihet me dyshime nga komuniteti i biznesit dhe institucionet.
Sipas propozimit të ZRRE-së, në tregun e energjisë në Kosovë pritet të futen edhe dy operatorë të rinj si dhe do të këtë ndryshim të tarifave të energjisë elektrike, shkruan Gazeta Fjala.
Struktura e re e tarifave parasheh heqjen e tarifave sezonale dhe bllok tarifave dhe mbajtjen e tarifave të larta dhe ulëta ditë dhe natë.
Është bërë e ditur se liberalizimi i tregut do të filloj nga muaji prill i këtij viti.
Megjithatë sipas njohësve të kësaj fushe, propozimi i ri i ZRRE-së do t’i dëmtojë rëndë konsumatorët familjarë dhe ata biznesor.
Ymer Fejzullahu, udhëheqësi i Departamentit për Tarifa dhe Çmime në ZRRE, ka thënë se struktura e re e propozuar ka për qëllim përshtatjen e sektorit me rrethanat e reja të krijuara nga kërkesat ligjore për liberalizim të tregut.
Po ashtu, kjo vjen edhe si kërkesë e harmonizimit me pakon e tretë të legjislacionit evropian. “Megjithatë, propozimi mbi strukturën nuk është vendim i marrë ende, duke qenë se është në konsultim publik, mirëpo ajo përmban në vete komponentët kryesore të cilat janë thjeshtësimi i strukturës aktuale dhe nxitja e shfrytëzimit efikas të energjisë gjatë pikut dhe jashtë saj”, ka thënë Fejzullahu.
Propozimin e ofruar nga Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike, lidhur me liberalizmin e tregut të energjisë elektrike, e ka kundërshtuar ashpër Konsorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) .
Dardan Abazi, nga INDEP, ka thënë se nëse implementohen këto ndryshime, më se shumti do ta pësojë shtresa e varfër.
“ZRRE nuk është treguar e sinqertë që të tregojë se kategoritë e varfra të shoqërisë do të pësojnë më së shumti nga ndryshimi i tarifave. Gjithashtu, struktura e re tarifore nuk ofron masa incentive për bizneset e vogla dhe të mesme, një pjesë e madhe e të cilave kryejnë aktivitetin e tyre biznesor kryesisht gjatë muajve të verës – dhe me tarifat e reja pritet që për një pjesë të madhe të bizneseve do të ketë rritje të faturave të energjisë elektrike”, ka thënë Abazi.
Ndërkaq, Rinora Gojani, përfaqësues e KOSID-it, po ashtu ka shprehur pakënaqësitë e veta, duke thënë se “eliminimi i tarifave sezonale në kohën që po hyjmë në sezonin e ultë veror dëmton edhe konsumatorët familjar e edhe ata biznesor”.
“ZRRE-ja duhet të rishqyrtoj këtë propozim dhe të mos ndryshoj strukturën aktuale të tarifave të energjisë elektrike”, ka thënë Gojani.
Burim Piraj, pronar i kompanisë “Meka”, ka vlerësuar se dhënia e distribucionit një kompanie ka qenë gabim i madh dhe ky gabim i ka kushtuar hiç më pak se një miliard euro ekonomisë së varfër kosovare.
“Situata e furnizimit nuk është e mirë aspak sepse me rrethanat e krijuara askush më nuk ka besim se do të ketë furnizim të rregullte dhe është shumë i vështirë vendimi për investime nga kushdo qoftë”, ka theksuar Piraj. /GazetaFjala/Telegrafi/