Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, të enjten, ka mbajtur tryezë diskutimi me anëtarët e shoqërisë civile dhe gazetarët, për të shqyrtuar propozim planin e punës së kësaj prokurorie për vitin 2025.
Kryeprokurori Kryeziu ka bërë të ditur se tryeza ka për qëllim të paraqesë në mënyrë të strukturuar objektivat dhe planin e veprimit për periudhën janar – dhjetor 2025.
Ai ka nënvizuar se ky plani i punës për vitin 2025, mes tjerash, ka për qëllim ngritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies si dhe rritjen e besimit të publikut.
“Draft plani i punës në vete përmban organizimin e prokurorisë dhe njëzet objektiva”, ka thënë Kryeziu, teksa ka prezantuar secilën objektivë veç e veç, raporton Telegrafi.
“Pesë objektivat kryesore për vitin 2025 do të jenë: luftimi i veprave penale kundër korrupsionit, fajdeja, narkotikët, dhuna në familje dhe krimet kundër mjedisit”, është shprehur ai.
Në këtë takim kanë qenë të pranishëm edhe prokurorët e tri departamenteve të kësaj prokurorie.
Në anën tjetër përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe mediave, patën mundësinë që të japin vërejtje dhe rekomandime për planin e punës së prokurorisë, raporton Telegrafi.
Me këtë rast është pohuar se diskutimet e tilla janë të mirëseardhura dhe se takimet e kësaj natyre duhet të shpeshtohen.
Në të njëjtën kohë janë diskutuar çështje të ndryshme që kjo prokurori i ka në trajtim.
Kryeprokurori Kryeziu ka bërë të ditur se rekomandimet e marra gjatë këtij takimi do të shqyrtohen për përfshirjen e tyre si pjesë e planit final të punës, i cili do hartohet nga kjo prokurori. /Telegrafi/