Kryetari i PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka rikthyer në fokus projektin e kontratës sociale mes USAID-it dhe Komunës së Gjilanit, të nisura në vitin 2023 për të rritur transparencën dhe përfshirjen e qytetarëve në planifikimin e buxhetit.
Sipas Rashitit, qeverisja lokale nuk ka arritur të realizojë projektet e parapara në tri fshatra.
“Në Bresalc nuk u ndërtua fusha sportive dhe këndi i lojërave për fëmijë, me vlerë 60 mijë euro. Në Zhegër dështoi ndërtimi i fushës sportive në shkollën “Agim Ramadani”, po ashtu me vlerë 60 mijë euro. Në Miresh nuk u realizua rregullimi i fushës me bari sintetik në shkollën “Nazim Hikmet”, projekt me kosto prej 20 mijë eurosh”, tha ai.
Rashiti pretendon se fondet e destinuara për këto projekte janë shpenzuar për qëllime të tjera, siç pasqyrohet në raportin financiar të komunës për vitin 2024.
Ai e ka cilësuar këtë si mashtrim ndaj qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke akuzuar kryetarin e komunës për keqmenaxhim dhe mungesë përgjegjësie. /Telegrafi/