Piktori nga Skenderaj, Haxhi Fejzullahu, gjatë këtyre ditëve ka hapur ekspozitën “Art Exhibition” në Graz të Austrisë.
Fejzullahu për Telegrafin ka thënë se kjo ekspozitë është që në kuadër të festave të Nëntorit të shpalosin kreativitetin e tyre në art për vendasit dhe komunitetet tjera, shkruan Telegrafi.
Ai ka thënë se ekspozita përmban punime me motive nga jeta në vendlindje.
“Qëllimi i kësaj ekspozite është prezantimi dualist i një mërgimtari me vendlindjen në kokë dhe realitetin e përditëshmërinë në mërgim, duke i bashkëdyzuar në një konglemerat ngjyrash dhe motivesh që nuk janë të shpeshta në Austri”, ka thënë ai.
Piktori është shprehur se ekspozita është mirëpritur nga shqiptarët por edhe nga austriakët, të cilët sipas tij, kanë udhëtuar me qindra kilometra për të ardhur në hapje.
“Rreth 30 piktuara janë të ekspozuara në një qendër kulturore në Graz. ‘Straßganger Kultur Centrum’, të udhëhequr nga artistja austriake Gina Harg. E cila edhe para hapjes mbajti një fjalim mbi punimet dhe shfaqi ndjenjë miradie për numrin e madh të artdashësve që ishin aty”, ka thënë tutje ai.
Sipas tij, mesazhi kryesor i kësaj ekspozite është të tregohet se shqiptarët jo vetëm që krijojnë art të mirë, por që janë edhe kreativ në këtë fushë.
“Është për tu theksuar se struktura e të pranishmëve në hapje ishte nga zyrtarë institucional austriak, politikan, artistë të fushave të ndryshme e deri te biznismen dhe lobist proshqiptar”, ka shtuar Fejzullahu.
Piktori ka treguar se përveq në Austri, ka ftesa për të bërë ekspozita edhe në Suedi, Holandë, Danimarkë, Gjermani e të tjerë.
“Sa i përket Kosovës, ka disa procedura burokratike në bartjen e pikturave nga Austria në Kosovë që sjellin pak telashe, por në plan kam që të hap edhe atje një ekspozitë patjetër, madje kam bashkëpunim të ngushtë me shumë artistë nga Kosova të cilët i vizitoj çdo herë kur kam mundësi”, ka theksuar piktori.
Fejzullahu ka potencuar se në Austri është një komunitet i mirë artistësh e mbi të gjitha edhe një komunitet i shkëlqyer artdashësish. /Telegrafi/