Telegrafi

Pezullohet Liga Unike, klubet nga Shqipëria tërhiqen nga gara

Liga për të cilën ishte bërë shumë bujë, të premten është pezulluar. Bëhet fjalë për Ligën Unike në basketboll (meshkujt).

Vendimin për pezullimin e Ligës Unike e mori Bordi Drejtues i kësaj lige, pas tërheqjes së dy skuadrave nga Shqipëria, Tiranës dhe Teutës.

Ndërkohë do të vazhdojë Liga Unike te basketbollistet.

“Bordi Drejtues i Ligës Unike sot në Tiranë ka marrë vendim që të pezullojë aktivitetin e Ligës Unike për meshkuj, ndërsa do të vazhdojë me zhvillimin e aktivitetit në konkurrencën e femrave. Deri te ky vendim Bordi Drejtues i Ligës Unike ka ardhur pas takimit disa orësh me klubet shqiptare sot në Tiranë në prani edhe të dy presidentëve të Federatave themeluese të kësaj lige. Për shkak të tërheqjes së dy ekipeve nga Shqipëria, Tiranës dhe Teutës është i pamundur vazhdimi i garës në formatin e paraparë, prandaj Bordi Drejtues i Ligës Unike ka marrë vendim pezullimin e garës dhe do të vlerësojë opsionet e ristrukturimit të saj. Vendimi hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij”, thuhet në njoftim.

Liga Unike ka nisur edicionin e tretë, ndërsa janë luajtur tri ndeshje deri më tani.

Në këtë ligë duhej të paraqiteshin katër skuadra nga Kosova e katër nga Shqipëria.