PET/CT është një metodë që rrit shkallën e suksesit për të zbuluar indet kancerogjene, por edhe diagnostikimin e sëmundjeve, shkaku i të cilave nuk dihet
Dr. Fakir Spahiu – Specialist i Mjekësisë Nukleare
Drejtor i Shërbimit të Qendrës Klinike të Mjekësisë Bërthamore
Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës
Tel. +383 38 500 600 23 19
Mob. +383 44 151 145; +383 49 151 145
Gjithashtu, kjo metodë konsiderohet si një nga teknologjitë më të rëndësishme të Mjekësisë Nukleare për të planifikuar terapinë dhe më pas të ndihmojë në vlerësimin nëse trajtimi është efektiv.
Çfarë është PET/CT dhe në cilat raste klinike rekomandohet ky ekzaminim?
PET/CT imazheria eshte nje metodë diagnostike që shfrytëzon një sasi të vogël të materialit Radioaktiv (më së shpeshti në formë të 18F-FuorDeoxyGlukoze-FDG), i cili shpesh quhet edhe Radio Gjurmues. Si medodë bashkëdyzon dy aparatura PET dhe CT, të cilat na mundësojnë të realizojmë pamje të veçanta që ndyshe i quajmë imazhe të fuzionuara.
Fuzionimi i mundëson mjekut specialist të ndërlidhë dhe interpretojë informacionet nga dy studime të ndryshme në të njëjtën kohë.
PET CT i mundëson mjekut të bëjë vlerësimin e funksioneve të veçanta të indeve të trupit të njeriut, siç janë ato metabolike.
Mjekët rekomandojnë PET CT për qëllime diagnostike dhe atë:
▪ Diagnostikim të sëmundjeve të ndryshme malinje
▪ Të përcaktojë nëse sëmundja është përhapur
▪ Vlerësimin e përgjigjes ndaj terapisë
▪ Të përcakton nëse sëmundja është rikthyer pas trajtimit
▪ Vlerësimin e prognozës së sëmundjes
▪ Vlerësimin metabolik dhe viabilitetin e indeve
▪ Përcaktimi i dëmtimit ose jo të muskulit të zemrës pas atakut kardiak
▪ Vlerësimi i ndryshimeve në indin trunorë pas tumoreve, çrregullimeve të memories, sulmeve epileptike dhe çrregullimeve të tjera.
Aparatura e SPECT/CT/PET është donacion nga “Al Waleed Philanthropies” – Fondacion nga Riyad në Arabinë Saudite, i realizuar përmes Fondacionit “JAHJAGA” të ish-Presidentes Atifete Jahjaga
Cilat janë përparësitë e kësaj teknologjie në krahasim me metodat tjera diagnostikuese?
Përparësitë kryesore të kësaj metode diagnostike janë imazhet kualitative në një nivel të lartë të saktësisë, marrë parasysh se të dy studimet realizohen pa pasur nevojë që pacienti të lëvizë, gjë që eliminon mundësinë e gabimeve.
Mund t’i dallojë infeksionet nga sëmundjet malinje.
Ka specificitet të lartë se metodat tjera imazherike në zbulimin e metastazave të largëta, veçanërisht në sëmundjen e melanomës.
Në cilën fazë të sëmundjes përdoret kjo metodë gjurmuese?
PET/CT realizohet në fillim të sëmundjes, pas trajtimit të pacientit nga ana e kirurgut, pas kimioterapisë, pas radioterapisë, kjo për të vlerësuar ecurinë e trajtimit. Gjithashtu kërkohet edhe atëherë kur metodat tjera diagbnoztike nuk kanë arritur rezultate të kënaqshme.
Pas përfundimit të procesit të trajtimit, ai shërben si për të hetuar praninë e qelizave kancerogjene që janë të gjalla, ashtu edhe për të përcaktuar efektivitetin e trajtimit.
Cilat lloje të tumoreve zbulohen dhe cilat nuk detektohen me PET-CT?
Jo çdo malignitet tregon akumulim të FDG, p.sh., liposarcoma retroperitoneale nuk ka afinitet për FDG pasi përbëhet nga indi dhjamor apo renal cell carcinoma dhe neoplazmat mucinoze kanë përthithje të ulët të FDG.
Tumoret e tjerë në organizimin e njeriut mund të diagnostikohen me PET/CT pasi që nuk kanë mundur të identifikohen me MRI apo CT.
Si të përgatitemi dhe si zhvillohet procedura?
Pacienti zakonisht informohet tre ditë para skanimit se si të përgaditet nëpërmjet fletës informuese, në të cilën janë të shkruara në mënyrë specifike informatat mbi dietën, aktivitetin fizik si dhe menagjimin e terapisë para kezaminimit.
Në ditën e ekzaminimit, para se të injektohet gjurmuesi radioaktiov (p.sh. FDG), pacientit i merret një anamnezë e shkurtër ku gjithashtu maten disa parametra vital si glukoza në gjak, tensioni arterial, etj.
Pas injektimit të gjurmuesit, pacientit i kërkohet të qëndrojë i qetë për një periudhë 40-60 minuta, deri sa gjurmuesi të shpërndahet. Pastaj i kërkohet pacientit të shtrihet në tavolinën e aparaturës dhe të mos lëvizë deri sa skanimi të përfundojë.
Çfarë sasie rrezatimi merr pacienti gjatë ekzaminimit?
Meqenëse PET CT përfshin dy ekzaminime në të njëjtën kohë, është e kuptueshme që pacienti merr një sasi rrezatimi edhe nga CT, por edhe nga Gjurmuesi Radioaktiv, por që krahasuar me benifitet që arrihen përmes kësaj medode diagnostikuese, sasia e rrezatimit që pacienti i ekspozohet, është relativisht e ulët dhe, është e arsyeshme.
Ekspozimi ndaj rrezatimit varet nga indeksi i masës trupore të pacienti, dhe sipas kalkulimeve, doza ekspozuese për pacient varion nga 4-8 mSv, në rastet kur aplikohet FDG për incizim si dhe doza e ultë e CT-së (low dose CT) prej 2-6 mSv. Kjo është një dozë shumë e ultë krahasuar me dobitë potenciale dhe nuk paraqet asnjë problem per pacientin.
Sa kohë do të zgjasë skanimi?
Kohëzgjatja e skanimit varet edhe nga gjatësia trupore e pacienti dhe varion nga 20-30 minuta. Në raste të veçanta mund të shkojë edhe deri në 40 minuta.
Sa shpesh lejohet përdorimi i kësaj metode në monitorimin e karcinomave ose metastazave?
Kjo metodë diagnostike përdoret për rastet e caktuara. Për limfomat, p.sh., duhet të realizohet një protokoll tjetër duke u konsultuar me hematologun. Kjo, mund të bëhet më shpesh pas incizimit të parë dhe fillimit të kimioterapisë, ndoshta, brenda 1 apo 2 muajve të parë. Ndërsa, te rastet e tjera, pas incizimit të parë mund të bëhet PET/CT kontrolluese pas përfundimit të trajtimit të pacientit 4 deri në 6 muaj nga incizimi i parë me PET/CT.
Rreziqet e mundshme dhe efektet e dëmshme?
Deri më sot, nuk është raportuar për ndonjë rrezik apo efekte të dëmshme nga ekzaminimi me PET/CT, sepse doza e marrë për ekzaminim, nuk është e lartë dhe koha e gjysëmë zbërthimit të FDG-së – është 109.7 min, që eliminohet shumë shpejt nga organizmi.
PET/CT përdor dozë diagnostike e cila sot ka përdorim shumë të madh në diagnostifikim në tërë botën.
Si metodë diagnostike e cila nënkupton futjen brenda trupit të gjurmuesit radioaktiv, mund të jetë e dëmshme për frytin. Pra, mbetet kundëridikacion realizimi i PET CT te gratë shtatzëna.
Gjithashtu tek nënat gjidhënëse duhet të bëhet justifikimi nga ekipi mjekësor.
Kush i interpreton rezultatet?
Përpunimi i imazheve dhe interpretimi i rezultateve realizohet ekskluzivisht nga Mjeku Specialist i Mjekësisë Nukleare. /Telegrafi/