Gjithsesi 5 janë emrat më të lakuar të cilët po mbajnë në ankth tifozeritë e shumë skuadrave me zgjedhjen që do të bëjnë. I pari në këtë listë është padiskutim Lebron James. 30-vjecari nga Akron nuk po aktivizon opsionin që ekziston në kontratën e tij me Cleveland për rinovimin edhe për 1 tjetër sezon me një pagë prej 21,7 milionë Dollarësh dhe me shumë gjasa nga 1 Korriku mund të jetë sërish një lojtar i lirë.
Mediat amerikane janë përpjekur të qetësojnë tifozët e Cavs teksa shkruajnë se Mbreti James nuk ka ndërmend të largohet por Lebron vështirë se do ta firmosë kontratën e re përpara se Cleveland të marrë formë duke ndërtuar një skuadër më të fortë për sezonin e ardhshëm. Një tjetër emër i lakuar në merkato është DeAndre Jordan. Pas pak ditësh qëndra nga Houstoni do të jetë një lojtar pa kontratë por ish skuadra e tij LA Clippers është një nga ekipet pretendente për të firmosur sërish me 26-vjecarin.
Tre opsionet e tjera ku DeAndre Jordan mund të vijojë karrierën janë Lakers, Milwaukee dhe Dallas. Prej 1 Korrikut një basketbollist pa kontratë do të jetë edhe LaMarcus Aldridge. Ky i fundit nuk do të jetë më pjesë e Portland Trail Blazzers. San Antonio është skuadra favorite për të firmosur me Aldridge por edhe Los Angeles Lakers dhe Dallas Maverciks shpresojnë ta bëjnë të tyrin 29-vjecarin. Kalojmë te Dwyane Wade. Ditët e fundit është folur shumë për një largim nga Miami me destinacion Lakers ose Cleveland por skuadra nga Florida po bën gjithcka për ta mbajtur yllin e saj dhe me shumë mundësi Wade do të nëshkruajë një marrëveshje të re 3-vjecare me Heat-sat nga e cila do të përfitojë në total 45 milionë Dollarë. Në fund të kësaj 5-sheje është Roy Hibbert. Mungon ende zyrtarizimi por sic shkruan ESPN, 28-vjecari nga New-Yorku pritet të aktivizojë opsionin e rinovimit që ekziston në kontratën e tij me Indianën edhe për 1 tjetër sezon. /supersport/