Site icon Telegrafi

Pescara konfirmon ofertat për Memushajn

Vazhdon te Pescara në Serinë B, do të rikthehet të luajë në elitën e futbollit italian, apo ndoshta do të zgjedhë të provojë aventurën në një tjetër ligë evropiane.

E ardhmja e Ledian Memushajt mbetet mister, ndërsa presidenti i Pescarës, Sebastiani deklaroi se të gjitha vendimet do të merren në konsensus me mesfushorin kuqezi.

“Memushaj është një lojtar i cili pëlqehet nga shumë skuadra të Serisë A, por edhe nga jashtë Italisë. Është lojtar i Kombëtares shqiptare, ka luajtur në Kampionatin Evropian dhe është më se normale që të ketë oferta. Ne do t’i vlerësojmë me lojtarin”, thotë ai.

Në Zvicër, ish-zëvendëstrajneri i kombëtares shqiptare, Tramezzani këmbëngul ta afrojë 30-vjeçarin te Sioni. Drejtuesit e Pescarës provojnë të rezistojnë, duke theksuar se më parë duhen plotësuar kërkesat e tyre financiare për Memushajn, transmeton Supersport.

“Ka dhe do të ketë kërkesa. Lediani ka kontratë edhe për tre vjet me Pescarën, praktikisht deri sa të dalë në pension. Tramezzani e kërkon me ngulm te Sioni, por ne nuk e shesim askënd nën kosto”.

“Megjithatë, nuk është e përcaktuar që kapiteni të largohet nga Pescara. Ne nuk nxitohemi dhe do t’i shqyrtojmë me kujdes ofertat, si në aspektin ekonomik për klubin, ashtu edhe për karrierën e lojtarëve”, thotë presidenti i klubit të Pescaras.

Exit mobile version