Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin dhe kryetari i SFV, Dominique Blanc, e kanë komentuar grupin ku së bashku me ta do të jetë Brazili, Serbia dhe Kameruni.
Fillimisht foli Yakin, i cili tha se është i kënaqur me shortin, edhe se ka ekipe të forta përballë.
“Jam i kënaqur me shortin e Kupës së Botës. Brazili, Serbia dhe Kameruni – këto janë sfida të mëdha. Do të përgatitemi shumë mirë që të kualifikohemi në raundin tjetër”.
“Këto janë kombëtare që janë të barabartë me ne, ndaj ne jemi të sfiduar. Sigurisht që nuk do ta bëjmë të lehtë për këto dy skuadra”, ka thënë Yakin nga Doha.
Katër vjet më parë, Zvicra luajti 1-1 kundër Brazilit dhe fitoi 2-1 kundër Serbisë në një lojë shumë emocionale.
Trajneri 47-vjeçar ka folur edhe për kundërshtarin që e nisën aventurën, Kamerunin: “Një ekip interesant për t’u mposhtur”.
Në Kupën e Botës 2018 në Kaliningrad të Rusisë, tifozët serbë provokuan Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqiri që kishin shënuar në atë fitore prej 2-1.
Kryetari i SFV, Dominique Blanc, ka thënë se Zvicra e njeh grupin, ndërsa thotë se nuk ka asnjë problem me Serbinë.
“Duhet të jesh pragmatik. E njohim grupin. Ne do të përgatitemi për të fituar”.
Për ndeshjen e Serbisë ai shtoi: “Sigurisht që nuk do të bëjmë asnjë polemikë. Jemi në kontakt me shoqatën, janë miq tanë. Është një lojë futbolli”. /Telegrafi/