Site icon Telegrafi

Përzgjedhësi Ilir Nallbani flet për suksesin e Kosovës U15 në “UEFA Development” ku zunë vendin e parë

Kombëtarja e Kosovës U15 e drejtuar nga Ilir Nallbani e ka përmbyllur me sukses turneun “UEFA Development” që u zhvillua gjatë kësaj jave në Maltë.  

Pas fitoreve me Estoninë (2:1) dhe me Gjibraltarin (0:0, 4:3 në penallti) Dardanët U15 kanë shënuar fitore edhe kundër nikoqires së turneut, Maltës, me rezultat 1:0, duke siguruar pozitën e parë me 8 pikë.  

Përzgjedhësi Ilir Nallbani u shpreh i kënaqur me atë çfarë treguan futbollistët e tij në këtë turne.  

“Sigurisht që ne si ekip dhe staf jemi munduar që t‘i përzgjedhim lojtarët më në formë për këtë turne dhe në fund djemtë janë paraqitur shumë mirë. Në ndeshjen e parë me Estoninë kemi bërë një paraqitje jashtëzakonisht të mirë për këto nivele”.  

“Edhe në ndeshjen e dytë kundër Gjibraltarit kemi dominuar plotësisht, por fituam pas penalltive, kurse në ndeshjen e fundit me Maltën ka qenë një ndeshje speciale. Djemtë kanë qenë të mjaft përgatitur në aspektin mental dhe na kanë dhuruar emocione. Kemi pasur shumë raste dhe loja ka qenë e bukur”.  

“Kjo grupmoshë kur dalin jashtë shtetit kanë paksa vështirësi, gjë e cila është normale, por në fund ia kanë arritur t’i kryejnë detyrat siç duhet dhe të japin më të mirën në fanellën e Kombëtares së Kosovës”.  

“Jam shumë i kënaqur, së bashku me stafin, që kemi kaluar një periudhë shumë të mirë dhe djemtë me meritë kanë fituar tri ndeshje dhe e kanë zënë vendin e parë”, ka thënë Nallbani. 

Ndihmësit e Ilir Nallbanit në këtë grupmoshë janë Faruk Statovci, Artan Bytyqi dhe Labinot Metaj. /Telegrafi/  

Exit mobile version