Filharmonia e Kosovës ka nderin të prezantojë koncertin e 17 shkurtit, organizuar në kuadër të agjendës zyrtare të shënimit të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të sjellin një program me vepra të kompozitorëve nga Kosova nën dirigjimin e Baki Jasharit. Koncerti do të nisë me veprën “Suita ilire” nga Mark Kaçinari (në 90-vjetorin e lindjes së kompozitorit) dhe do të përfshijë tri vepra premierë: “Fantazi për piano” nga Blond Krasniqi me solist Shkëlzen Baftiarin (piano), poema simfonike “Mizer – Reçak” nga Liburn Jupolli dhe kantata “I miri i motrës” nga Korab Shaqiri me soliste Flaka Goranci (mexosoprano). Gjithashtu, në këtë mbrëmje do të interpretohen “Dies Irae” (Messa da Requiem) nga Giuseppe Verdi dhe “Vendi im” nga Valton Beqiri, e kompozuar mbi temën e këngës “Mallëngjimi”. Numri i ulëseve është i kufizuar, prandaj rezervoni vendet tuaja.
Gjithashtu, thuhet se koncerti do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Dyert hapen në orën 19:30, ndërsa koncerti do të fillojë në orën 20:00. Pas fillimit të koncertit, dyert do të mbyllen për shkak të transmetimit direkt në Radio Televizionin e Kosovës./Telegrafi/