Telegrafi

Përveç Kroacisë e Serbisë, stuhia e fuqishme nuk kursen as pjesë të Bosnjës – raportohet për një të vdekur

Një grua ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme në Bërçko gjatë motit të fortë me stuhi që ka përfshirë këtë zonë të Bosnjë-Hercegovinës.

Përveç këtij qyteti, stuhia e fuqishme thuhet se ka goditur edhe zonën e qytetit Tuzla.

Sipas mediave të Bosnjës, përcjell Telegrafi, më shumë se 20 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, tha zëdhënësi i Institucionit Shëndetësor Publik, Sead Shadiq.

Lexo po ashtu Pas Zagrebit, “terrohet” Beogradi – një stuhi e fuqishme godet edhe kryeqytetin e Serbisë

Ai ka deklaruar se shërbimi i ambulancës ka pasur shtatë ndërhyrje dhe se bëhet fjalë për lëndime të lehta të shkaktuara nga rënia apo përplasja me sende të mprehta.

Ndërkohë bëhet e ditur se era e fuqishme në Bërçko shkuli pemët, theu degët, dëmtoi disa makina dhe pati dy zjarre, tha Qendra Operacionale dhe Komunikuese e Qarkut të këtij qyteti.

Lexo po ashtu Pjesë të kulmit që bien mbi vetura dhe jo vetëm – pamje të tjera të “apokalipsit” që u shkaktua nga një stuhi e fuqishme në Zagreb të Kroacisë

Zjarri ka rënë në një shtëpi dhe sipas informacioneve të para është shkaktuar nga një rrufe. Të gjitha njësitë e zjarrfikësve janë në terren dhe po punojnë për pastrimin. /Telegrafi/