Site icon Telegrafi

Përurohet pllaka përkujtimore dedikuar martirëve të Krushës së Vogël

Në odën e Sejdi Batushës në Krushë të Vogël të Prizrenit është përuruar pllaka përkujtimore në nderim të martirëve të këtij fshati që u masakruan me 26 mars të vitit 1999.

Në këtë ceremoni është theksuar se pranvera e vitit 1999 ka qenë tragjike për shqiptarët e Krushës së Vogël, ngase gjithsejtë 113 burra kanë pësuar si pasojë e veprimeve të forcave serbe, teksa 145 fëmijë kanë mbetur jetimë dhe 82 gra të veja.

Kryetari i fshatit, Shkëlzen Hajdari ka theksuar se në vendin ku po bëhet përurimi i pllakës përkujtimore, me 26 mars të vitit 1999, familjarët ishin përshëndetur për herë të fundit, raporton Telegrafi.

“Këtë vend, gjeneratat e ardhshme do ta kujtojnë gjithmonë për sakrificën dhe gjakun e derdhur për liri”, ka thënë ai, duke përkujtuar se gjashtë banorë i kanë mbijetuar masakrës për të dëshmuar para botës për mizorinë e forcave serbe, të ndihmuar edhe nga serbët lokalë.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj ka theksuar se kombet që e harrojnë historinë, ajo edhe i përsëritet.

“Pikërisht për të mos harruar këtë histori kemi ardhur këtu, për ta përuruar këtë pllakë përkujtimore, sepse ka qenë nevojë e komunitetit”, ka thënë Totaj. Sipas tij, bëhet fjalë për një ngjarje tragjike, por edhe moment krenarie, sepse ka ndihmuar ardhjen e lirisë dhe çlirimin.

“Kjo do të mbetet si pjesë e historisë dhe gjeneratat e reja do ta përkujtojnë që mos të na ndodh më. Neve na mbetet që të punojmë për këtë shtet dhe ta forcojmë me punë e angazhim”, është shprehur Totaj.

Drejtori i Administratës, Edin Shehu ka theksuar se kërkesa ka ardhur nga banorët e fshatit dhe se organet komunale e kanë trajtuar me prioritet realizimin e këtij projekti, raporton Telegrafi.

“Për nga vlera monetare është një nga projektet më të vogla në komunën tonë, mirëpo pesha e rëndësisë e bën njërën ndër projektet më të mëdha të kësaj komune”, ka thënë Shehu.

Sipas rrëfimeve të banorëve të këtij fshati, forcat serbe me 25 mars 1999 kanë vrarë 9 banorë në fshatin Krushë e Vogël, derisa me 26 mars 1999 janë vrarë edhe 103 viktima tjerë. Ndërsa pas kthimit të popullsisë nga Shqipëria edhe një fëmijë 12 vjeç është vrarë nga minat e vendosura në fshat nga forcat serbe, duke rritur numrin e viktimave në 113. /Telegrafi/

Exit mobile version