Në kuadër të investimeve për përmirësim të infrastrukturës, sot, në fshatin Sadovinë të Vitisë është bërë përurimi i fushës me bari sintetik.
Në ceremoninë e përurimit kanë marr pjesë ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi dhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Në përurimin e stadiumit, ministri Gashi tha se kjo është ditë e veçantë jo vetëm për sportin e këtij lokaliteti, jo vetëm për sportin e qytetit të Vitisë por edhe për sportin kosovar e në veçanti për futbollin i cili është në kulmin e sukseseve.
“Viti 2018 ka qenë prej viteve më të mira në sport, është vit i veçantë edhe për sporte kolektive sepse si futbolli ashtu edhe basketbolli, hendbolli e volejbolli kanë pasur suksese dhe tashmë janë pjesë e futbollit, basketbollit, hendbollit e volejbollit ndërkombëtar. Këto janë të arriturat tona të përbashkëta, të shtetit, të Federatës, të qytetarëve, të sportistëve dhe sportdashësve”, tha ai.
Ai po ashtu falënderoi për bashkëpunim kryetarin Haliti dhe veçanërisht kryetarin e Federatës së Futbollit Agim Ademin.
“Si rezultat i një bashkëpunimi të jashtëzakonshëm, të mirë dhe të suksesshëm, ne jemi në fazën e ndërtimit të 12 stadiumeve të tilla në Republikën e Kosovës dhe të gjitha janë duke u bërë me një bashkëpunim mes Ministrisë së Sportit, FFK-së dhe të Komunave respektive ku po ndërtohen këto terrene”, u shpreh ministri Gashi.
Ministri përmendi edhe stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë duke njoftuar se në ditët në vijim do të nënshkruhet kontrata për renovimin e këtij stadiumi i cili po ashtu do të jetë stadium i kategorisë katër dhe kësisoj Kosova do të bëhet me dy stadiume ku do të mund të luhen ndeshje ndërkombëtare.
Gjithashtu, ministri Gashi dha edhe njoftimin tjetër të rëndësishëm për ndërtimin e Stadiumit Kombëtar i cili siç njoftoi ministri do të ketë 30 mijë ulëse, duke thënë se gjatë muajve qershor-korrik do të vendoset gurë-themeli i këtij stadiumi.
Ndërkaq kryetari i FFK-së, Agim Ademi, fillimisht falënderoi ministri për punën e tij dhe tha: “Po të mos ishte ministri Gashi futbolli do të ishte shumë më mbrapa në aspektin e infrastrukturës sepse ky ministër dhe kjo Qeveri ka bërë të pamundurën që futbollit t’i krijoj bazën e tij”.