Site icon Telegrafi

Përurimi i shkollës pa inventar nga ministria e arsimit,  nxit reagimin e Komunës së Ferizajt

Ministria e Arsimit ka finalizuar objektin e shkollës fillore “Dy dëshmorët”në Talinoc të Ferizajt në vlerë prej mbi një milion e 241 mijë euro. Por, objekti ende nuk është finalizuar me inventar, ani pse niveli qendror ka bërë edhe përurimin e objektit dy ditë më parë.

Në komunën e Ferizajt kanë thënë se mbi 330 nxënës mësojnë në kushte mjaftë të rënda në objektin e vjetër të shkollës, prandaj kanë kërkuar me urgjencë nga ministria e arsimit ta sjellin inventarin.

Afrim Llabjani, drejtor i arsimit në komunën e Ferizajt, ka thënë për Telegrafin se nxënësit e kësaj shkolle në objektin e vjetër mësojnë me 3 ndërresa dhe në kushte të rënda teknike.

“Pas përurimit të objektit, kemi marrë premtime se do të furnizohet së shpejti edhe me karrige, mirëpo kërkojmë që sa më shpejt të realizohet premtimi i ministres Nagavci sepse objekti i vjetër i kësaj shkolle nuk i plotëson kushtet teknike për mësim sepse është ndërtuar në vitin 1928 dhe funksionon me 3 ndërrime. Kjo po paraqet telashe, ndërkaq objekti i ri është një zgjidhje e mirë. Prandaj kemi planifikuar që në javën e ardhshme t’i bartim nxënësit në atë objekt por mungojnë aktualisht karriget”, ka kërkuar Llabjani.

Në anën tjetër, ministrja Arbërie Nagavci, gjatë përurimit të objektit dy ditë më parë u ka dhënë premtime zyrtarëve komunal se objekti do të furnizohet me karrige në javën e ardhshme.

“Nxënësit dhe stafi arsimor kanë në dispozicion një hapësirë moderne dhe funksionale, që plotëson standardet për një arsim cilësor. Jam shumë e lumtur që fëmijët e Talinocit, mësimdhënësit dhe stafi tjetër i shkollës do të zhvillojnë procesin mësimor në kushte jashtëzakonisht më të mira se deri tani, dhe jam e bindur se rezultatet nuk do të mungojnë”, ka thenë midis të tjerash Nagavci.

Ajo ka shtuar se gjatë përurimit kanë pare nga afër gëzimin dhe entuziazmin e nxënësve, stafit të shkollës dhe komunitetit të prindërve për shkollën e re, ashtu si dhe kushtet e vështira me të cilat janë ballafaquar deri tani. /Telegrafi/

Exit mobile version