Site icon Telegrafi

Personat e verbër në Gjakovë ballafaqohen me sfidat e përhershme të qasjes në informacion dhe edukim

Numri i personave të verbër në Kosovë mendohet të jetë rreth 5 mijë persona, të cilët vazhdimisht përballen me sfida të shumta.

Pavarësisht që në disa zona të Komunës së Gjakovës janë krijuar disa hapësira që janë të dedikuara për lëvizjen e personave të verbër, Mark Pjetraj, kryetar i Shoqatës së të verbërve në Gjakovë, në një intervistë për Telegrafin potencoi, që sfidat e personave të verbër në komunën e Gjakovës, vazhdojnë të jenë të njëjtat nga viti në vit.

“Sfidat për personat e verbër janë të njëjtat të cilat ne po i përsërisim nga viti në vit. Është qasja në informacion publik, pasi që personat e verbër nuk mund të hasin as në broshurën më të thjeshtë të shtypur në alfabetin Braj në të cilin personi i verbër mund të ketë qasje dhe të merr informacionin të cilin ai po e kërkon, po ashtu në asnjë sportel në Komunën e Gjakovës nuk mund të hasim shënime në alfabetin Braj.”, tha fillimisht Pjetraj.

Tutje ai shtoi, se një sfidë tjetër me të cilën përballen ata është literatura e pamjaftueshme e shtypur në alfabetin Braj, e cila ndikon që studentët që janë të verbër të mos ndihen të barabartë me shokët dhe shoqet e tyre.

“Ndërsa për më tepër studentët aktual akoma janë të pabarabartë me shokun dhe shoqen, pasiqë një student i verbër nuk ka literaturë të shtypur në alfabetin Braj për gjatë studimeve të tij, dhe ato nuk mund të jenë studime të efektshme pasiqë ti përderisa nuk ke literaturë, me të vërtetë është diçka shumë sfiduese.”, shtoi tutje Pjetraj.

Intervistën e plotë të zhvilluar me Mark Pjetraj, Kryetar i Shoqatës së të verbërve në Gjakovë, mund ta ndiqi më poshtë. /Telegrafi/

Exit mobile version