Roberto Mancini thuhet se vendosi të qëndrojë në krye të Italisë pas një takimi me presidentin e FIGC, Gabriele Gravina dhe pas kërkesave të lojtarëve për të mos u larguar.
Trajneri po mendonte të jepte dorëheqje pas humbjes kundër Maqedonisë së Veriut, e cila e detyroi Azzurët të mos merrnin pjesë për herë të dytë radhazi në Kupën e Botës. Ai e kishte vazhduar kontratën deri në vitin 2026 vitin e kaluar, para fitores së Kampionatit Evropian.
Mancini konfirmoi se do të mbetet në krye gjatë një konference për shtyp të hënën dhe sipas Calciomercato.com, lojtarët e Italisë kishin një rol kyç në vendimin e tij.
“Pavarësisht zhgënjimit të madh, jam i lumtur të shoh se puna që kemi bërë në katër vitet e fundit është vlerësuar”, deklaroi Mancini.
“Fitorja në Euro nuk ishte e vetmja gjë e mirë që bëmë. Djemtë meritojnë lëvdata për atë që kemi bërë. Mund të them që këta djem janë të veçantë. Grupi është i jashtëzakonshëm”.
Leonardo Bonucci dhe shokët e tij të skuadrës e bindën Mancinin të qëndronte në krye. Të gjithë e kanë mbështetur trajnerin dhe i kanë kërkuar vazhdimisht të mos largohet. Ai mori një vendim përfundimtar pas disa ditësh dhe pas një takimi zyrtar me presidentin e FIGC, Gabriele Gravina, i cili kishte përjashtuar shkarkimin e Mancinit të enjten mbrëma.
Sipas raportit, Gravina ka siguruar që Federata do të nisë një projekt të ri për të rifereskuar futbollin italian, duke diskutuar rolin qendror të klubeve të Serisë A dhe duke riorganizuar sektorin e të rinjve /Telegrafi/