Një nga sfidat që gratë përballen shpesh është edhe procesi i trashëgimisë dhe i pronësisë mbi pasurinë familjare.
Kjo sfidë shtrihet në të gjitha qytetet e Kosovës, përfshirë edhe Gjilanin, derisa këtë e tregojnë edhe statistikat se sa gra gjilanase kanë pronë në emër të tyre dhe sa prej tyre trashëgojnë prona.
Sipas një deklarate nga zyrtarja për barazi gjinore në Komunën e Gjilanit, Lindita Salihu, një përqindje e vogël e grave kanë prona në emër të tyre dhe trashëgojnë pasuri.
“Vetëm 20% e grave në Gjilan kanë prona të regjistruara në emër të tyre, ndërsa rreth 6% trashëgojnë pasuri”, tha Salihu për Telegrafin, duke theksuar se janë përqindje të përafërta me shumicën nga komunat e Kosovës.
Në këto rrethana, shumë gra nuk janë ende në dijeni të plotë për të drejtat e tyre apo e kanë të vështirë të sigurojnë zbatimin e tyre.
Si rrjedhojë, me mbështetjen e USAID-it dhe në kuadër të projektit “Qeverisja e Pronës në Kosovë,” Komuna e Gjilanit organizoi një takim ndërgjegjësues për gratë mbi të drejtat e tyre pronësore dhe trashëgimore.
Nëpërmjet një njoftimi, Salihu thotë se ky takim i implementuar nga organizata KW4W, kishte për qëllim të shpjegonte ligjet e trashëgimisë dhe pronës me gratë gjilanase dhe të nxisë një ndërgjegjësim më të madh për të drejtat ekonomike dhe sociale të grave.
“Informimi i qytetarëve për ligjet dhe të drejtat e tyre mbi pronën dhe trashëgiminë, krijon një bazë të fortë për fuqizimin ekonomik dhe social të grave, të cilat shpesh përballen me sfida në këtë aspekt”, shkruan Salihu.
Tutje, Salihu këshillon që të bëhemi brezi që krijon një trashëgimi krenarie dhe barazie për të gjitha gratë dhe vajzat e shoqërisë. /Telegrafi/