Site icon Telegrafi

Përplasje në një konferencë për shtyp, gazetarja i thotë Dodikut: Ju jeni një kontrabandist i cigareve dhe një përfitues i luftës

Një konferencë për shtyp e Milorad Dodikut, e cila është mbajtur në Sarajevë, është shënuar edhe me një debat të ashpër të tij me një gazetare.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pasi Dodik përfundoi pjesën e fjalimit të tij në të cilën preku bisedën me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, ai ka folur për një çështje të quajtur “Kisik”, e cila po trondit Republikën Srpska këto ditë.

Me atë rast, anëtari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Milorad Dodik sulmoi televizionin BN disa herë, duke thënë se ai e krijoi këtë çështje në bashkëpunim me opozitën politike – sipas tij, e gjitha me qëllim të prishjes së atmosferës në Republikën Srpska.

Dhe ka qenë gazetarja e BN, Slaxhana Jasareviq ajo që ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Dodik, duke paralajmëruar këtë të fundit që të mos i drejtohej asaj dhe kolegëve të saj në këtë mënyrë.

“Në këto 20 minuta, ju u morët vetëm me BN. Unë ju paralajmëroj se kjo është hera e fundit që më drejtoheni mua dhe kolegëve të mi, si dhe që flisni kështu për televizionin BN”, citohet të ketë thënë Jasareviq.

Pas prezantimit të saj, Dodik i kërkoi gazetares së BN t’i ndalej mikrofoni, por mikrofoni nuk u fik dhe publiku mund të dëgjonte fjalët e ashpra që i drejtoheshin njëri-tjetrit.

Kështu, gazetarja e quajti Dodik një përfitues dhe kontrabandist lufte.

“Unë jam anëtare e familjes së një luftëtari, dhe ju keni kontrabanduar cigare në luftë. Ju jeni një kontrabandist i zakonshëm dhe një përfitues i luftës”, ka thënë ndër tjerash ajo. /Telegrafi/

 

Exit mobile version