Banorët e Kaçanikut herë pas here po përballen me mungesë të ujit të pijshëm shkaku i mungesës së burimeve ujore, ndërkohë kryetari i kësaj komune Besim Ilazi ka kritikuar publikisht kompaninë KRU “Bifurkacioni” për mos investime. Por drejtuesit e kompanisë ia kanë hedhur poshtë deklaratat e Ilazit duke shpjeguar se në këtë komunë kanë investuar qindra e mijëra euro për ta përmirësuar gjendjen e ujit të pijshëm.
Deklaratat publike të Ilazit në Këshillin Komunal për Siguri dhe Bashkësi se komuna ka investuar rreth 600 mijë euro në rrjetin e ujësjellësit, ka nxitur reagimet e kompanisë duke i cilësuar si shpifje dhe të pa vërteta për keqinformim të opinionit.
“Kryetari Ilazi në KKSB shprehu shqetësimin e tij në lidhje me problemet me mungesën e ujit, duke shtuar se Komuna nuk ka kompetenca në emërimin e bordit në Kompaninë që menaxhon me ujin “Bifurkacioni“, e cila tashmë ka kaluar në menaxhim të nivelit qendror. Ai më tutje shtoi se deri më tani asnjëherë nuk është takuar me përfaqësuesit e emëruar të kësaj kompanie për Kaçanik, ndërsa tha se Komuna e Kaçanikut ka investuar në rrjetin e ujësjellësit mbi 600 mijë euro, ndërsa nuk ka menaxhim të ujit, ku ka burime të hapura të ujit nga komuna, por që deri më tani asnjëherë nuk janë shfrytëzuar nga Kompania në fjalë”, thuhet në njoftimin e komunës pas mbledhjes së KKSB-së.
Pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe drejtori I KRU “Bifurkacioni” në Ferizaj, Jeton Shabani. Ai ka sqaruar se deklaratat e Ilazit nuk janë të vërteta dhe se paraqesin keqinformim për publikun.
“Nuk është në rregull ajo çka ka thënë Ilazi sepse nuk ka burime të hapura që ka investuar komuna e Kaçanik e që nuk i kemi pranua, përveç atyre që nuk kanë kurrfarë dokumentacioni apo kualiteti i ujit është jashtë çdo standardi. Sa i përket takimeve, kemi mbajtur me komunën e Kaçanikut, konkretisht në javën e kaluar përgjegjësi i njësisë operative është takuar me zyrtarët komunal. Investime 600 mije euro, as kjo nuk është e vërtete”, ka sqaruar Shabani.
Shabani ka bërë me dije se KRU-Bifurkacioni është duke investuar në gjithë zonën e shërbimit, duke rritur kualitetit e shërbimit.
“Vitin e kaluar jemi të gjithë dëshmitarë te thatësisë që ka qenë në vendin tonë dhe burimet që janë ekzistuese nga Luboteni kanë pasur rënie mbi 50 për qind ne sasi të furnizimit, por kjo nuk është varur nga ne, edhe pse e kemi kaluar më mirë se që kanë qenë kushtet”, ka sqaruar Shabani./Telegrafi/