Të paktën 17 njerëz janë vrarë nga përmbytjet në provincat qendrore të Vietnamit gjatë javës së kaluar dhe 13 konsiderohen të zhdukur, thanë të shtunën mediat shtetërore ndërsa vendi po përgatitej për një stuhi tjetër tropikale.
Në ditët e ardhshme, rajoni qendror duhet të përgatitet për një tajfun tjetër, Linfa, i cili do të sjellë më shumë shira dhe do të rezultojë në më shumë përmbytje, njoftoi transmetuesi shtetëror Televizioni Vietnam (VTV), raporton reuters.
Pamjet e transmetuara nga VTV treguan se peshkatarët shpëtuan nga rojet bregdetare dhe helikopterët ndërsa erërat e forta godisnin bregdetin qendror Vietnamez në provincën qendrore të Quang Tri, transmeton Telegrafi.
Përmbytjet kanë shkurtuar furnizimet me ushqim për mijëra njerëz. Rreth 31 mijë banorë janë zhvendosur dhe më shumë se 33 mijë shtëpi janë zhytur dhe dëmtuar nga përmbytjet, sipas një raporti qeveritar.
Vietnami është i prirur ndaj stuhive shkatërruese dhe përmbytjeve për shkak të vijës së gjatë bregdetare.
Fatkeqësitë natyrore – kryesisht përmbytje dhe rrëshqitje toke të shkaktuara nga stuhitë – vranë 132 njerëz dhe plagosën 207 të tjerë në vend vitin e kaluar. /Telegrafi/