Kampi Pyjor 2024 u përmbyll me sukses sot, pas shtrirjes në zonat e komunës së Novobërdës, Gjilanit dhe Kamenicës. Ky aktivitet bëri bashkë ekspertë, përfaqësues institucional, studentë dhe komunitetet lokale me qëllimin e përbashkët për ta bërë një hap para drejt menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve në Kosovë.
Kampi u organizua në kuadër të programit programit të financuar nga Bashkimi Evropian dhe Suedia “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”.
Ky program zbatohet nga Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara (FAO).
Kampi i Pyjeve 2024 tërhoqi mbi 200 pjesëmarrës, të cilët morën pjesë në aktivitete interaktive dhe diskutime për të promovuar menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, përmirësimin e jetesës rurale dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike. Aktiviteti përfshiu sesione praktike, prezantime të udhëhequra nga ekspertë si dhe vizita në terren, duke shfaqur burimet pyjore të Kosovës dhe duke eksploruar mundësitë për ndërmarrësi të bazuar në pyje, si prerja e drurit, agroturizmi dhe produktet pyjore jo drunore.
Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të bashkëbisedojnë me ekspertë ndërkombëtarë dhe lokalë mbi tema si biodiversiteti pyjor, praktikat silvikulturore, menaxhimi i zjarreve në pyje dhe roli i grave dhe të rinjve në sektorin e pyjeve. Në ditën përmbyllëse pjesëmarrësit u mblodhën në Novobërdë për të eksploruar funksionet rekreative të pyjeve dhe për të vëzhguar shembuj të turizmit të qëndrueshëm në rajon.
Gjatë përmbylljes së Kampit Pyjor ishte prezent z.Bajrush Ymeri, nënkryetar i Komunës së Novobërdës, i cili i falenderoi pjesëmarrësit dhe e vlerësoi këtë kamp shumë të suksesshëm si kontribues në vetëdijësimin e popullsisë lokale të Novobërdës për ruajtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të pyjeve.
Ndërsa eksperti ndërkombëtar i FAO-s, Andreas Ottitsch, ndër të tjerash tha që “ky kamp do konfirmoi se pyjet nuk janë vetëm për masë drunore por kanë edhe shumë vlera si në aspektin social dhe ekologjik”.
Naser Krasniqi, udhëheqës vendor i FAO-s e përmbylli Kampin Pyjor 2024 duke theksuar rëndësinë e këtij aktiviteti.
“Ky kamp i cili është realizuar për herë të dytë ka dëshmuar sesa e nevojshme është të organizohen ngjarje të tilla që na njohin me vlera pyjore”, tha Krasniqi. Në fund, pjesëmarrësit e Kampit Pyjor 2024 u dekoruan me certifikata.
Gjatë gjithë javës, Kampi Pyjor 2024 theksoi rolin kritik të pyjeve të Kosovës në mbështetjen e zhvillimit rural dhe luftimin e ndryshimeve klimatike. Përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Pylltarisë së Kosovës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ambasada e Suedisë në Prishtinë morën pjesë në këtë aktivitet, duke rikonfirmuar angazhimin e tyre për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe fuqizimin e komuniteteve lokale.
Përmbyllja e Kampit Pyjor 2024 shënoi një hap të vazhdueshëm drejt përmirësimit të jetesës së bazuar në pyje dhe forcimit të ekosistemeve pyjore të Kosovës karshi ndryshimeve klimatike.