Mbrojtësi i Bayern Munichut, Lucas Hernandez, nuk përfiton 24 milionë euro në sezon – ka sqaruar agjenti i lojtarit.
Mediat gjermane kanë raportuar se paga e 24-vjeçarit ka shkaktuar përçarje në zhveshtoren e bavarezëve, duke qenë se shumë yje tjera të skuadrës mendojnë se duhet të paguhen më shumë se ai.
Hernandez iu bashkua Bayernit në verën e kaluar nga Atletico Madridi për një shumë rekorde prej 80 milionë eurosh, mirëpo ai akoma nuk e ka shpaguar besimin e klubit.
Francezi i ka regjistruar vetëm 14 paraqitje në sezonin e ndërprerë, si pasojë e lëndimeve, ndërkohë që këto ditë është spekuluar për pagën e tij të majme.
“Ajo që është shkruar është krejtësisht e gabuar. Lucas nuk përfiton 24 milionë as bruto as neto. Nuk e di kujt i ka ardhur kjo ide se Lucas fiton aq shumë”.
“Ai fiton shumë më pak se aq. Ndoshta dikush e ka ngatërruar me ndonjë lojtar tjetër ose dikush dëshiron ta lëndojë”, ka thënë agjenti Manuel Garcia Quilon për Goal dhe SPOX. /Telegrafi/