Site icon Telegrafi

Përgatitet agjenda e seancës së Kuvendit të Prizrenit, kryesuesja apelon për pjesëmarrjen e kuvendarëve

Komiteti për Politikë dhe Financa të martën ka mbajtur mbledhjen e radhës, me ç’rast anëtarët e këtij trupi kanë rekomanduar pikat për seancën e Kuvendit të Komunës së Prizrenit që do të mbahet të mërkurën.

Kryesuesja e Kuvendit, Antigona Berisha Bytyqi ka theksuar se rendi i ditës përbëhet prej gjithsejtë 15 pikave, pasi është shtuar shqyrtimi i propozim-vendimit për harmonizimin e pagave dhe mëditjeve në Komunën e Prizrenit për dy muajt e fundit të këtij viti, derisa pika për formimin e Komisionit Përzgjedhës për drejtorët e shkollave është hequr, raporton Telegrafi.

Sipas saj, në mesin e pikave tjera, ka të tilla që janë bartur nga seancat e shkuara, që nuk janë përfunduar, sikurse projekt-rregullorja për dhënien e dekoratave nga komuna e Prizrenit, pastaj shqyrtimi i Planit lokal të veprimit për barazinë gjinore (2024-2026), shqyrtimi i Projekt-planit Zhvillimor Komunal të Arsimit 2025-2027, shqyrtimi i propozim-vendimin për miratimin e Planit Rregullues të Hollësishëm ‘’Zona e Parkut për Industri të Lehtë në Prizren – Parku i Biznesit’’ sipas Hartës Zonale të Komunës së Prizrenit; si dhe raporte e informata të tjera.

“Ka një morri pikash që nuk janë shqyrtuar në seancat e fundit të Kuvendit të Komunës si pasojë e mungesës së kuorumit. Prandaj i bëj thirrje të gjithë kuvendarëve që konform mandatit që kanë marrë nga qytetarët të kryejnë funksionin e tyre, dhe të votojnë për, kundër apo të abstenojnë. Pra të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre dhe të mundësojnë vendimmarrjen në Kuvendin e Komunës për çështjet që janë interes i qytetarëve”, ka thënë ajo, raporton Telegrafi.

Në seancat e fundit të Kuvendit të Komunës, pjesa e parë është zhvilluar derisa pjesa e dytë nuk ka vazhduar për shkak të mungesës së kuorumit për vendimmarrje, pasi që në sallë kanë qenë prezent më pak se 21 anëtarë të Kuvendit nga numri i përgjithshëm i 41 kuvendarëve. /Telegrafi/

Exit mobile version