Kanë përfunduar të gjitha takimet në kuadër të javës së 22-të në Ligën e Parë të Kosovës në futboll, përkatësisht Grupin A dhe B.
Malisheva ka fituar 2-1 ndaj A&N, në derbin që u zhvillua në stadiumin ‘Liman Gegaj’.
Fitore të madhe në këtë rreth ka marrë edhe Vëllaznimi që mposhti me rezultat të thellë 5-1 Onixin në Gjakovë.
Pa gola ka përfunduar takimi në mes të Lirisë dhe Drenasit në Prizren, derisa Dukagjini fitoi në Klinë me mjaftë mund përballë Istogut, 1-0.
Fitoren në këtë javë mori edhe Trepça që mposhti 2-1 në shtëpi Vushtrrinë.
Grupi B
Ulpiana ka shënuar fitore mjaft të rëndësishme, por edhe të mundimshme në shtëpi ndaj 2 Korrikut me rezultat 1-0.
Triumf të madh mori edhe Flamurtari, që mposhti në udhëtim Vitinë me rezultat 2-1, duke i qëndruar hije Ulpianës në kreun e tabelës.
Takimi që prodhoi më shumë gola ishte ai në mes të Dardanës dhe Vllazinës, që përfundoi 4-2, derisa fitore mori edhe Ramiz Sadiku 1-0 në shtëpi ndaj Ferizajt.
Fitore ka shënuar edhe Kika që triumfoi përballë KEK-ut me rezultat të ngushtë 2-1. /Telegrafi/