Për dy ditë radhazi, qytetarët e Mitrovicës Veriore patën mundësi të bënin kontrolle mjekësore për detektimin e kancerit të gjirit.
E gjitha kjo përmes fushatës “Kancerin e gjirit e mposhtim së bashku”, e cila është organizuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Kjo fushatë synon ndërgjegjësimin e grave që të njëjtat t’i kryejnë kontrollet mjekësore me kohë dhe të njoftohen nëse e kanë këtë sëmundje apo jo, shkruan Telegrafi.
Pasi që tashmë ka përfunduar në Mitrovicën Veriore, kjo fushatë ndërgjegjësuese do të jetë e pranishme edhe në komunat tjera veriore, në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Telegrafi ka qenë në vendin e ngjarjes gjatë ditës së sotme rreth orës 13:40 dhe teknikja e radiologjisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, Shqipe Llapjani, bëri të ditur se deri në ato momente vetëm 9 gra kishin bërë kontrolle mjekësore, 7 prej tyre shqiptare dhe dy serbe.
Ndërsa gjatë ditës së djeshme kontrolle mjekësore kanë bërë 20 gra, 19 prej tyre shqiptare dhe një serbe.
“Gjatë ditës së djeshme kontrolle mjekësore kanë bërë 20 gra, 19 shqiptare dhe një serbe. Ndërsa, sot deri më tani janë bërë 9 kontrolle mjekësore, 7 prej tyre janë shqiptare dhe dy serbe”, ka thënë ajo.
Teknikja e radiologjisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë u ka bërë thirrje të gjitha grave që të mos hezitojnë dhe të ju bashkohen kësaj fushate, duke bërë kështu kontrollet e duhura mjekësore. /Telegrafi/