Formula 1 po përgatitet për ndryshime rrënjësore në prag të fillimit të sezonit të ri. Kompania “Liberty Media” kompletoi blerjen e këtij kampionati për një vlerë prej tetë miliardë dollarë dhe masa e parë që mori ishte largimi i Bernie Ecclestone nga roli i shefit ekzekutiv të këtij kampionati.
Ecclestone që e mbajti këtë pozicion për rreth katër dekada, do ta dorëzojë postin e tij te Chase Carey për të pasur thjesht rolin e një këshilltari në bordin drejtues. Ishte vetë Ecclestone që e konfirmoi largimin e tij nga drejtimi i Formula 1, duke theksuar se u detyrua që të japë dorëheqjen.
Në krahun tjetër, “Liberty Media” doli me një komunikatë për shtyp ku citonte një tjetër deklaratë të 86-vjeçarit që shprehej se ishte i kënaqur që kjo kompani mori pronësinë e këtij kampionati pasi do të investojë për të ardhmen e këtij sporti, transmeton Top Channel.
Por jo vetëm kaq, “Liberty Media” bëri të ditur edhe kthimin e Ross Brawn në botërorin e Formula 1. Në komunikatën për shtyp të kësaj kompanie theksohet se ish-drejtuesi i Ferrarit dhe Mercedes do të jetë në rolin e drejtorit teknik dhe sportiv të këtij kampionati
Brawn është një emër i madh i këtij botërori. Nën drejtimin e tij dhe me Michael Schumacher, Ferrari ka shënuar sukseset më të mëdha. Në vitin 2009, ai krijoi skuadrën Brawn GP duke fituar titullin botëror për pilotë e konstruktorë me Button. Pasi e shiti skuadrën te Mercedes, u largua në vitin 2012 për t’u rikthyer në rolin e drejtorit teknik.