Përfaqësuesja e Kosovës U17 ka shënuar fitore edhe në ndeshjen e dytë në kuadër të turneut zhvillimor të UEFA-s që po mbahet në Letoni.
Pas fitores kundër Andorës (1:0), djelmoshat e drejtuar nga Besnik Kollari, në ndeshjen e dytë, kanë arritur ta mposhtin ekipin organizator të këtij turneu, Letoninë, pas penalltive me rezultat 4-2, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll 1-1.
Të parët në epërsi kaluan letonët në minutën e 32-të dhe atë nga një pakujdesi e portierit Olti Ismaili, i cili një top të kthyer nga Bleond Rexhepi nuk e perceptoi si duhet me këmbë dhe si rrjedhojë, ai, përfundoi në rrjetën e tij.
Mirëpo, kjo gafë sikur i dha zemër edhe portierit, por edhe lojtarëve tjerë, të cilët në vazhdim treguan lojë shumë më të mirë dhe arritën që qysh pas tre minutave lojë në pjesën e dytë t’i barazojnë shifrat me golin e shënuar nga Arbër Bytyqi pas harkimit të Egzon Fazliut.
Ndërkohë, në serinë e penalltive u dallua portieri i inkuadruar më vonë Rijad Bytyqi, i cili arriti të presë dy gjuajtje të letonëve për t’ia mundësuar festën shokëve të tij me fitoren e dytë në këtë turne.
Në serinë e penalltive për Kosovën shënuan Diar Halili, Eliot Llullaku, Leart Tahiri dhe Miran Kuçi, derisa gjuajtjen e Arbër Bytyqit e priti portieri leton. Kombëtarja e Kosovës U17 do ta mbyllë garën në këtë turne më 30 prill me ndeshjen kundër San Marinos, ekip të cilin Letonia e mundi në ndeshjen e parë me shifrat 7-0. /FFK/