Në vigjilje të zgjedhjeve lokale në Medvegjë, përfaqësuesit e listës shqiptare në Medvegjë të prirë nga Nagip Arifi – kryetar i PD-së dhe njëherësh kryetar i Bujanocit, janë pritur në takim nga kryesia e Klubit “Trojet” në Prishtinë.
Pjesë e delegacionit nga Medvegja ishin bartësi i listës shqiptare Femi Beha, kryetari i PD-së dega në Medvegjë – Bajram Mustafa, të cilët aktualisht janë asamblistë komunalë në Medvegjë.
Gjithashtu pjesë e këtij delegacioni ishte Arben Ferati nga Shoqëria civile, prof. Gani Krasniqi, Sokol Halimi- kryetar i Bashkësisë Lokale të Tupallës dhe përfaqësues të tjerë politikë të kësaj komune në Luginën e Preshevës.
Gjatë këtij takimi u diskutua për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, që do të mbahen në Medvegjë me 17 dhjetor.
Temë e diskutimit ishte edhe pasivizimi i adresave të shqiptarëve dhe ndikimi i kësaj në listën e votuesve.
Në takim u shpreh shqetësim i madh se si pasojë e pasivizimit të paligjshëm numri i shqiptarëve në listat e votuesve është dukshëm më i vogël. /Telegrafi/