Site icon Telegrafi

Përfaqësuesit e lagjes “Jeta e Re” në Prizren kërkojnë pastrimin e mbeturinave dhe më shumë përgjegjësi qytetare

Përfaqësuesit e lagjes “Jeta e Re” në Prizren kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me ndotjen e trotuarit në rrugën “Tahir Gashi”.

Pamjet e mbeturinave të hedhura në hapësira publike sipas një reagimi të publikuar në faqen e lagjes në rrjetet sociale janë konsideruar alarmante dhe njëherësh është bërë thirrje për më shumë përgjegjësi qytetare.

“Ju lutemi të jemi më të kujdesshëm, dhe të bëhemi shembull për ruajtjen e mjedisit të  lagjes”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Përfaqësuesit e lagjes përmes këtij njoftimi kanë bërë të ditur se ky problem është adresuar te Drejtoria e Shërbimeve Publike, dhe se drejtori Çelë Lamaj është zotuar se së shpejti do të organizohet pastrimi i rrugës dhe trotuarit.

Lexo po ashtu Komuna e Prizrenit merr masa për pastrimin e deponisë ilegale mes dy lagjeve

Edhe vetë drejtori Lamaj është shprehur se aksioni për pastrim do të zhvillohet gjatë ditës, raporton Telegrafi.

Përveç kësaj, përfaqësuesit e lagjes kanë theksuar se tash e tutje kjo zonë dhe rrugët e tjera të lagjes do të jenë në monitorim të vazhdueshëm nga Policia dhe Inspektorati Komunal, dhe se kjo masë synon identifikimin e personave të papërgjegjshëm që ndotin mjedisin me hedhjen e mbeturinave në vende publike.

“Hedhja e mbeturinave në vende publike është e ndaluar me ligj”, thuhet në njoftimin, në të cilin nga banorët kërkohet më shumë kujdes dhe përgjegjësi për mjedisin e pastër. /Telegrafi/

Exit mobile version