Mbrojtësi i krahut te Roma, Bruno Peres, thotë se grupi i tyre në Europa League duket i lehtë, por nuk është i tillë.
Giallorossët udhëtojnë në Republikën Çeke për t’u ballafaquar me Viktoria Plzen, e gjithashtu do të luajnë edhe ndaj Astra Giurgiu dhe Austria Vjena në Grupin E.
“Duhet të luajmë siç kemi luajtur në pjesën e dytë me Sampdorian”, ka thënë Peres për Roma Match Program.
“E dimë se është një ndeshje e rëndësishme, por është edhe e vështirë. Duhet të luajmë me shpirt siç kemi luajtur në gjysmën e dytë kundër Sampdorias për ta fituar lojën. Besoj se e kemi aftësinë të luajmë shumë mirë dhe t’ia dalim mbanë”, ka shtuar ai.
Francesco Totti e kishte ndryshuar krejtësisht lojën të dielën, ku kapiteni kishte asistuar mahnitshëm për Edin Dzekon dhe kishte shënuar gol.
“Është e vërtetë, me Tottin në fushë gjithçka është më ndryshe, ai është një legjendë. Është e rëndësishme për ne që ai të jetë aty”, ka pohuar Peres.
Braziliani ishte pyetur gjithashtu edhe për golat e Romës në këtë sezon.
“Roma ka një ekip shumë të fortë. Duhet të përpiqemi dhe të luftojmë për Scudetto, sepse kësisoj do të jemi gjithmonë në pozitat e para në tabelë. Këtë e kemi në mendje i gjithë ekipi. Jemi të sigurt se do korrim sukses”.
“Jemi duke punuar shumë që ta zbulojmë se ku kemi gabuar dhe të përmirësohemi. Jemi të vetëdijshëm për forcën që e kemi, eliminimi nga Liga e Kampionëve me Porton ishte një turp, por ne jemi të bindur se mund të bëjmë më mirë dhe mund t’i arrijmë objektivat tona”, ka përfunduar deklaratën e tij Peres. / Telegrafi/