Poezi nga: Carl Sandburg
Përktheu: Sulejman Mato
(me shkurtime)
Poezia është shtegu i hapur i tingullit
Për pikat e caktuara të jehonave.
Poezia është sekuenca e vizave dhe pikave
Për të shpjeguar thellësitë e varrezave nëntokësore,
alternimin e dritave, fjollëzat e Hënës.
Poezia është ditari i një kafshe detare
që jeton në tokë me ëndrrën
për të fluturuar në qiell .
Poezia është një tubim shpjegimesh
mbi jetën në horizonte, që hidhet me vrull
për të sqaruar vetveten.
Poezia është qielli i vrenjtur, i boshatisur
nga shtegtimi i patave.
Poezia është çelësi i shifrës për pesë dëshira mistike,
në brendësi të fishekut të artë,
ushqim i peshkut fluturues.
Poezia është loja e germave për një alfabet gëzimi,
Për një alfabet urrejtjeje, dashurie dhe vdekjeje.
Poezia është një deng
me shumë gjëra të padukshme
për kujtimet tona.
Poezia është tërheqja e arkave të iluzioneve
të mbërthyera me dërrasat e kapakëve të fakteve.
Poezia është një dorëshkrim fantazme
Që shpjegon si krijohen ylberët
Dhe si zhduken ata.
Poezia është ringjallja e një lidhjeje metaforike
mes krahëve të bardha të fluturave
Dhe grimcave të letrave të grisura të dashurisë.