Koreja e Jugut ka konfirmuar 205 raste të reja të coronavirusit – hera e parë që ka qenë mbi 200 që nga fillimi i shtatorit – tha Agjencia e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve e këtij vendi (KDCA) të shtunën, pasi një ligj i ri që gjobit ata që nuk mbajnë maska në publik filloi të zbatohet.
Sipas Al Jazeera, përcjell Telegrafi, nga rastet e reja, 166 u transmetuan në vend dhe 39 u importuan.
Më shumë se 65 për qind e rasteve të transmetuara lokalisht ishin nga Seuli dhe provinca Gyeonggi, një rajon i populluar dendur pranë kryeqytetit.
Autoritetet shëndetësore ia atribuuan rritjen e rasteve grupeve të infeksioneve të lidhura me tubime private dhe objekte publike, të cilat komplikuan përpjekjet për të identifikuar rrugët e transmetimit.
Ndryshe, të dy shpërthimet më serioze të COVID-19 në Kore të Jugut – në shkurt dhe gusht – kanë qenë të lidhura me shërbesat e kishës.
Presidenti Moon Jae-in u bëri thirrje autoriteteve dhe qeverive lokale të rrisin vetëdijen e tyre për përhapjen e sëmundjes dhe të përforcojnë udhëzime të tilla si veshja e detyrueshme e maskës.
Madje, gjobat për ata që u gjetën pa maskë në publik filluan të vendoseshin të premten, pas një rritje graduale të rasteve të përditshme të coronavirusit, të cilat kanë qenë me tre shifra për shtatë ditët e fundit.
Njerëzit e kapur pa maska në ambientet publike, duke përfshirë klubet e natës, qendrat tregtare, parqet tematike dhe sallonet e flokëve, përballen me gjobë në vlerë prej 89,75 dollarë.
Numri i fundit ditor ishte pak më i lartë se i premtes me 191, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 28,338 të vendit me 492 vdekje, sipas KDCA. /Telegrafi/