Site icon Telegrafi

Për të ardhur keq për kapitenët e Milanit: Muntari e Bonera udhëheqin klubin

Nëse kërkoni në Google, për fjalën kapiten aty mund të gjeni shpjegimin e kësaj fjale të madhe. “Në sport, kapiteni i ekipit është njeriu që pas trajnerit ka ndikimin e dytë më të madh në fushë. Ai jep koordinatat taktike, motivon ekipin, komunikon me gjyqtarin dhe është një lider për skuadrën” – kjo kupton fjalën kapiten, por pa dashur të ofendohet ndonjë lojtar, kjo fjali nuk i shkon për shtati lojtarëve si Muntari, Mexes e Bonera.

Rossonerëve po ju mungon një lojtar nga akademia pasi, lojtarët që ka aktualisht në skuadër e që bartin shiritin e kapitenit, asnjëri nga ta nuk ka të bëjë me historinë e klubit.

Montolivo nuk është lider siç ishte Baresi, Maldini, Gattuso e Ambrosini, edhe pse ai është etiketuar si futbollist korrekt dhe serioz në punën e tij, por jo sa për ta udhëhequr një klub të madh siç është Milani.

Ish-anëtari i Fiorentinas është kapiteni i parë i Milanit, por ai ka munguar shpeshherë këtë stinor, duke e bartur shiritin edhe Abiati, Bonera, Mexes, Abate, Alex dhe së fundmi Muntari, lojtar që vetëm javë më parë e gjuajti në tokë fanellën e Milanit pas një zëvendësimi.

Milanin e madh e dëshirojnë të gjithë të rikthehet, edhe kundërshtarët e tyre, pasi edhe Serie A do të ishte më interesant me një Milan të fortë, por natyrisht ata duhet të gjejnë së pari edhe një lider në fushë, që do t’i udhëhiqte denjësisht si paraardhësit e tij.

Milani i sotëm duhet të marrë shembull te Roma që ka në skuadër një Francesco Totti dhe një zëvendësues të tij si Daniele De Rossi, që janë liderë të mëdhenj, shembull te Gianluiggi Buffon i Juventusit apo edhe Antonio Di Natale te Udinese. /Telegrafi/

Exit mobile version