Dështimi i Paris Saint-Germainit në finale të Ligës së Kampionëve ishte si pasojë e rasteve të humbura – ka thënë Ander Herrera.
Bayern Munichu ëshë shpallur kampion i Evropës për klube, pas triumfit prej 1-0 kundër kamionit francez në finalen e Lisbonës.
Golin e vetëm në ndeshjen e zhvilluar në Estadio da Luz të dielën mbrëma e shënoi anësori Kingsley Coman, ndërsa PSG i pati disa raste të mira shënimi përgjatë takimit.
Duke folur për RMC Sport, Herrera ka thënë se ndihet shumë keq pas humbjes në finalen e madhe, ndërsa konsideron se është dashur të shfrytëzoheshin më mirë rastet e krijuara.
“Tash ndihemi tmerrësisht keq. Duhet të mendojmë, të mendojmë se kemi bërë diçka shumë të rëndësishme. Ndërtuam diçka të rëndësishme për klubin dhe tifozët”.
“Krijuam shumë raste, më duket se më shumë se Bayerni. Kjo ndeshje, të gjitha finalet, nëse nuk shënon… kundërshtari ka shumë cilësi. Krijuam pesë apo gjashtë raste, nëse nuk shënon, ata kanë shumë cilësi”, ka deklaruar Herrara pas ndeshjes.
Ky është sezoni i parë i spanjollit te PSG, prej se u transferua nga Manchester Unitedi si lojtar i lirë në korrik të vitit 2019. /Telegrafi/