Telegrafi

Për një muaj në regjionin e Ferizajt regjistrohen 20 raste të dhunës në familje

Gjatë këtij muaji policia e Ferizajt ka regjistruar gjithsejtë 20 raste të dhunës në familje ndërsa në krahasim me periudhën e njëjtë të muajit shtator të vitit 2023 policia pati regjistruar gjithsejtë 27 raste të tilla.

Sipas Policisë së Kosovës në Ferizaj zvogëlimi i rasteve të dhunës në Familje prej 26 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka ndikuar pas fushatave vetëtiësuese që i ka realizuar Policia e Kosovës.

“Tashmë është e ditur se Policia në Ferizaj ka punuar shumë edhe në sensibilizimin dhe parandalimin e dhunës në familje. Janë mbajtur shumë aktivitete dhe fushata lidhur me këtë çështje, andaj shpresojmë që rastet e tilla për çdo ditë të zvogëlohen. Policia Rajonal e Ferizajt apelon tek qytetarët që të raportojnë rastet e dhunës në familje dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë”, ka thënë për telegrafin zëdhënësi i Policisë për regjionin e Ferizajt Kanun Veseli.

Ndërkohë, ky institucion gjatë së martës nëpërmjet një komunikate ka njoftuar lidhur me rastet e dhunës në familje gjatë muajit shtator.

“janë raportuar 20 raste të dhunës në familje, prej tyre, në Ferizaj 13 raste, në Shtime 6 raste dhe në Kaçanik 1 rast. Policia Rajonale e Ferizajt rastet e dhunës në familje i ka trajtuar në mënyrë profesionale nga policët primarë të stacioneve të policisë dhe me hetuesit rajonal të Njësisë së Dhunës në Familje nga Sektori Rajonal i Hetimeve. Policia Rajonal e Ferizajt apelon tek qytetarët që të raportojnë rastet e dhunës në familje dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë. Për të gjitha rastet e dhunës në familje të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat e juaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, thuhet në komunikatë.