Nesër zhvillohet takimi i parë zyrtar mes kryeministrit të ri të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Kryeministrit Hashim Thaçi në Prishtinë. Një ditë e mirë për shqiptarët dhe një fillim i pritur…
Shprehja e vullnetit të mirë për bashkëpunim mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka munguar dhe ndërlidhja është intensifikuar viteve të fundit. Miqësia e thelluar së fundmi mes kryeministrave Thaçi dhe Rama mund të përdoret si katalizator në agjenda të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri dhe të merr kah të tillë që bizneset dhe qytetaret e dy vendeve të përfitojnë.
Ka pasur shumë raste dhe thirrje patriotike e pragmatike për bashkëpunim, por indikatorë suksesi janë vetëm treguesit ekonomikë dhe tregtarë gjë që tregon se ekziston ende hapësira që duhet plotësuar në dobi të përshpejtimit të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies në dy vendet.
Andaj, në këtë momentum të ri pozitiv të krijuar, nevojitet një qasje strukturore e qëndrueshme nga e cila do materializohet ky vizion. Çfarëdo bashkëpunimi i thelluar mes dy vendeve duhet të kontribuoj në përshpejtimin të gjenerimit të punësimit, rritje dhe zhvillim ekonomik dhe siguri e stabilitet rajonal. Kjo nuk duhet të jetë platformë për një Shqipëri natyrale të bashkuar, përkundrazi, një ftesë për bashkëpunim pragmatik që do përdorë resurset në dispozicion me qëllim të përmirësimit të mundësive dhe zgjedhjeve për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe të ndihmonte zhvillimin e rajonit dhe aderimin e saj në BE.
Në Programin e saj, Qeveria Rama ka deklaruar vullnetin për bashkëpunim strategjik me Kosovën "në planin politik, ekonomik dhe social". Për më tepër, programi parasheh "bashkëpunimin midis dy sistemeve elektro-energjetike" dhe një " paketë të veçantë turistike". Megjithatë, pjesa kyçe e vizionit bashkëpunues në këtë program është "Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë", ndërsa si mekanizëm për këtë parashihen takimet e përbashkëta të qeverive.
Ky program është një bazë modeste për tu konsideruar. Megjithatë, duhet një strukturim dhe input edhe nga Qeveria e Kosovës për të kompletuar një platformë të përbashkët bashkëpunimi mes dy vendeve, esenca e së cilës duhet të jetë fuqizimi i bizneseve dhe qytetarëve. Andaj, ajo çka dy qeveritë do të duhej të shmangnin, është bashkëpunim pa arsyeshmëri ekonomike me karakter "patriotik" të tipit të bashkimit kombëtar. Gjithashtu mos të fillojnë një cikël të takimeve – sikurse këto me rastin e vizitave të presidentëve të Kroacisë dhe Sllovenisë, të cilat përkundër madhështisë politike, nuk u konkretizuan me nënshkrimin e ndonjë programi ku do përfitonin qytetarët.
Shqipëria dhe Kosova kanë probleme të përbashkëta, si papunësia, zhvillimi i ultë dhe bilance të thella negative tregtare. Por, ato gjithashtu kanë përparësitë e veta të cilat me një mobilizim dhe bashkëpunim të strukturuar, në adresimin e defekteve dhe përdorimin e resurseve të përbashkëta me përparësi krahasuese, do të shërbenin për punësim, rritje të qëndrueshme ekonomike dhe sidomos përmirësim të konkurrencës së dy ekonomive.
Mu për këtë, nëse ekonomitë tona janë në nivel të ultë zhvillimi, nëse papunësia është shqetësimi kryesor dhe nëse ndërmarrjet nuk janë në gjendje të konkurrojnë në rajon, Evropë dhe botë, platforma vetëm së është e qartë dhe ky bashkëpunim duhet t’i adresojë mu këto probleme.
Andaj, me rëndësi është që mos të vonohemi me (a) përcaktimin se cilat janë fushat më interes të përbashkët bashkëpunimi dhe pastaj (b) të përgatiten programet tematike ndërqeveritare, që të alokohen resurse financiare dhe njerëzore për zbatimin e tyre. Nëse fushat e specifikuara janë bujqësia dhe agro-procesimi, energjia apo turizmi, kjo duhet të vërtetohet. Por, fokusi duhet të ruhet për shkak se as Kosova e as Shqipëria nuk posedojnë resurse që të adresojnë shumë fusha dhe procese.
Mund të thuhet që energjia, bujqësia/agro-procesimi, turizmi dhe siguria do të ishin tema me interes të përbashkët dhe do të përbënin një bazë të mirë fillestare. Metodologjia do të ishte e thjeshtë: vendet analizojnë nevojat, importet, dhe shohin përparësitë e tyre krahasuese me njëra-tjetrën për t’u dakorduar për interes dhe veprim të përbashkët. Nëse Shqipëria ka përparësi me turizëm veror, Kosova ka bukuri të shumta natyrore për pushime dimërore, përfshirë turizëm alternativ malor.
Programet tematike pa veprime me orare dhe resurse mbesin vetëm dëshira të parealizuara, por gjithashtu veprimet tepër ambicioze bëjnë që të dështojnë programet e mira me interes. Më rëndësi është që në këto platforma dy qeveritë duhet të jenë fuqi shtytëse dhe garantuese, ndërsa bizneset, bujqit/fermerët dhe ofruesit e shërbimeve të kenë rol më primar në jetësim.
Bashkimi Evropian ka dizajnuar një mekanizëm pragmatik të bashkëpunimit ndërkufitar dhe ky mund të jetë një shembull i mirë për dy qeveritë, vetëm se në këtë kontekst do të duhej të praktikohej me metodologji të ngjashme me përmasa shumë më të mëdha. Fundja, të dy vendet këtë vit mund të futen në ciklin e hartimit të planeve strategjike zhvillimore dhe do të ishte mirë që ky bashkëpunim të ankorohej aty, ndërsa do të ishte mirë të përshtatnin kornizën kohore planifikuese dhe financiare me atë të BE-së 2014-2020.
Dy Qeveritë duhet konsideruar gjithashtu qasjen e “investimeve fizike” në infrastrukturë të fortë. Padyshim që nevojat janë të mëdha për rrugë, aeroporte apo ndërtesa shkollash, por gjenerimi i vendeve të punës kërkon gjithashtu “investime të buta” serioze dhe te mençura në përkrahje direkte të sektorit privat. Sektori privat në Kosovë dhe Shqipëri është fatkeqësisht shtresa më e margjinalizuar dhe kjo duhet të ndryshojë sa më parë. Pra, është esencial modifikimi i politikave të investimeve dhe një balancim 50-50 për qind mes investimeve fizike me ato të buta, ku do të financoheshin programe qofshin për bashkëfinancim të pajisjeve prodhuese agro-procesuese, përkrahje për certifikime dhe standardizim, subvencione dhe bashkëfinancime fermerëve e prodhuesve deri tek programe për ngritjen e shkathtësive, ndërlidhjen e tyre me nevojat e tregut dhe përmirësimin e konkurrencës së tregut të punës.
Përfundimisht, dy kryeministrat dhe qeveritë mund të mësojnë nga njeri-tjetri. Qeveria Rama ka premtuar 300 mijë vende pune gjatë mandatit. Sigurisht që Thaçi do ta shikojë këtë “mjeshtri” me xhelozi dhe mund ta aplikojë ne Kosovë. Pa dyshim që do jetë vështirë të gjenerohen qindra mijëra vende pune, por nëse dy qeveritë adresojnë seriozisht zhvillimin dhe zbatimin e programeve të përbashkëta dhe alokojnë resurse për zbatim, padyshim që do të zhbllokojnë shumë potenciale dhe resurse dhe bashkërisht do mund të gjenerojnë një pjese te madhe të këtyre vendeve të punës nga ky bashkëpunim.
Nuk duhet të kemi pritje të mëdha imediate nga ky bashkëpunim. Rezultatet e mira kërkojnë kohë dhe përkushtim. Por, nëse fillohet mbarë, zhvillohen dhe nënshkruhen programet, alokohen resurset për zbatim, si dhe respektohen, dëgjohen dhe përkrahen bizneset, atëherë përfitimet do të jenë të prekshme dhe afatgjate për të dyja vendet, mbase me efekte multiplifikuese.
Kjo pritet nga të dy kryeministrat. Me një Shqipëri vend kandidat për BE më 2014 dhe një Kosovë me MSA të nënshkruar, trendët mund të marrin kahe që do të ofronin vlerë të shtuar për qytetarët, rajonin dhe BE-në. Por, esenca është mos të thuhen fjalë të mëdha “patriotike”, por të bëhemi të urtë, të kemi programe dhe të veprohet.