Site icon Telegrafi

PËR MUA GJEJ NJË SHISHE VERË

Poezi nga: Robert Burns
Përktheu: Dritëro Agolli

Për mua gjej një shishe verë,
Ma hidh në kupën e argjendtë,
Po nisem për të fundit herë,
Dhe pi për dashurinë e shenjtë.

Kërcet direku i anijes,
Kur era rreh e ndehet terri,
Kur toka dalëngadalë zë fshihet,
Unë pi për ty, e dashur Meri!

Më pret tufani dhe stuhia,
Flamuri ngrihet palë-palë,
Për luftë larg më fton buria,
Shigjetat derdhen valë-valë.

S’më tremb aspak luftë e tërbuar,
S’më tremb sfilitja, humbja, sherri,
Më tremb veç ndarja e trishtuar
Veç ndarja e hidhur me ty, Meri!

Exit mobile version