Sytë i kishte të mbushura me lot dhe tërhiqte hundët ndërsa fliste. "Ja tek është. Kjo është një krizë. Rubla do të bjerë kokëposhtë dhe do zhvleftësohet". Po prisja në një stacion autobusi në çastin kur gruaja u afrua dhe tha këto fjalë me zë të lartë. Mezi po u besoja veshëve.
Në fakt, fjala krizë u sjell rusëve kujtime shumë të këqija. Nuk i shtyn të shkojnë me mendje te depresioni i viteve tridhjetë, por në një ngjarje të frikshme të ndodhur dhjetë vite më parë, diçka tepër reale dhe e dhimbshme për ta. I referohet vitit 1998, kur Rusia nuk ia doli të paguante borxhet e jashtme. Vlera e rublës ra me aq shpejtësi dhe aq dramatikisht, sa shumë prej produkteve të importit u zhdukën nga raftet e dyqaneve e marketeve brenda natës. Eksportuesit trembeshin se monedha aq e dobësuar ruse do të vlente aq sa për t‘u garantuar shitjet. Bankat u mësynë. Miliona njerëz humbën kursimet.
Tani, ndërsa bota po përjeton këtë krizë të rëndë financiare, gruaja është e bindur se në Rusi do të kthehen ato ditë të tmerrshme.
E megjithatë, autori i reportazhit në CNN, vëren se gjendja ekonomike e Rusisë është shumë e ndryshme nga dhjetë vjet më parë. Rritja ekonomike e vendit ka qenë aq e shpejtë, sa pjesë të tëra të Moskës, por edhe të qyteteve të tjera, vështirë se mund të njihen. Qeveria ruse sot ka miliarda dollarë nëpër banka, në të kundërt të viteve të para pas rënies së Bashkimit Sovjetik.