Site icon Telegrafi

‘Për kafshatën e gojës’ – nëntëvjeçarja afgane u shit për martesë te një burrë 55-vjeçar – CNN dokumenton përmes pamjeve momentin e rëndë

Parwana Malik është një vajzë nëntëvjeçare nga Afganistani, familja e së cilës u detyrua ta shesë atë si nuse te një burrë 55-vjeçar.

Sipas CNN, përcjell Telegrafi, për Parwanën, 55-vjeçari është një plak me vetulla të bardha dhe me mjekër të bardhë e të trashë, derisa thotë se shqetësohet se ai do ta rrahë dhe do ta detyrojë të punojë në shtëpinë e tij.

Por prindërit e Parwanës thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër.

Për katër vjet, familja e saj ka jetuar në një kamp zhvendosjeje afgane në provincën veriperëndimore Badghis, duke mbijetuar nga ndihma humanitare dhe puna e varfër duke fituar disa dollarë në ditë. Por jeta është bërë edhe më e vështirë që kur talebanët morën pushtetin në Afganistan më 15 gusht.

Derisa ndihma ndërkombëtare thahet dhe ekonomia e vendit shembet, ata nuk janë në gjendje të përballojnë nevojat bazë sikurse ushqimi. Babai i Parwanës tashmë e ka shitur edhe motrën e saj 12-vjeçare disa muaj më parë.

Parwana është një nga shumë vajzat e reja afgane të shitura për martesë derisa kriza humanitare në vend thellohet. Uria ka shtyrë disa familje të marrin vendime të rënda, veçanërisht kur po afrohet edhe dimri brutal.

Prindërit i dhanë CNN-it akses të plot dhe leje për të folur me fëmijët dhe për të dokumentuar fytyrat e tyre, pasi thonë se ata nuk mund ta ndryshojnë vetë praktikën.

“Dita ditës, numri i familjeve që shesin fëmijët e tyre po rritet”, tha Mohammad Naiem Nazem, një aktivist i të drejtave të njeriut në Badghis. “Mungesa e ushqimit, mungesa e punës, familjet mendojnë se duhet ta bëjnë këtë”.

Babai i Parwanës u përpoq që ta shmangte këtë vendim të fundit derisa udhëtoi për në kryeqytetin provincial Qala-e-Naw për të kërkuar punë pa sukses, madje duke marrë hua “shumë para” nga të afërmit dhe gruaja e tij iu lut banorëve të tjerë të kampit për ushqim.

Por ai ndjeu se nuk kishte zgjidhje nëse dëshiron të ushqejë familjen e tij.

“Ne jemi tetë anëtarë të familjes”, tha ai për CNN. “Duhet të shes për të mbajtur gjallë anëtarët e tjerë të familjes”.

Më 24 qershor, Qorban, burri që bleu Parwanën arriti në shtëpinë e saj dhe i dha 200 mijë para afgane (rreth 2,000 dollarë) babait të saj.

“Kjo është nusja jote. Të lutem kujdesu për të… të lutem mos e rrihni atë”, tha babai i nëntëvjeçares.

Megjithatë Qorban nuk e përshkroi marrëveshjen si martesë, duke thënë se ai tashmë kishte një grua e cila do të kujdesej për Parwanën sikur të ishte njëra prej fëmijëve të tij. /Telegrafi/

Exit mobile version