Shimpanzetë për shumëçka janë të ngjashme me ne, mirëpo a e keni ditur që ato bisedojnë? E po, çfarë mendoni, për çka “flasin”?
Shkencëtarët kanë arritur konkludimin që shimpanzetë më së shpeshti këmbejnë informacione për më së paku dy gjëra: për pemët e preferuara dhe në cilin dru e kanë gjetur atë ushqim të shijshëm.
Shimpanzeve u intereson posaçërisht të dinë sa është madhësia e drurit ku gjenden frutat ashtu që me britma ua transmetojnë atë informacion pjesëtareve të tjera.
Hulumtuesit kanë zbuluar që ato lirojnë tinguj të caktuar kur kërkojnë diçka të grimcojnë, ndërkaq zëri u ndryshon kur dëshirojnë llojin e caktuar të pemëve, transmeton Telegrafi.
Në hulumtimin, të publikuar në revistën shkencore “Animal Behaviour”, është vëzhguar sjellja e nëntë shimpanzeve të rritura dhe është konkluduar që tingulli i zërave të cilat i lëshojnë varet nga lloji i ushqimit të cilin dëshirojnë ta hanë, si edhe për vendin se ku gjendet ai ushqim.
Nëse pemët të cilat dëshirojnë t’i gjejnë në drunj të vegjël, do të lirojnë tone të larta, ndërkaq nëse gjenden në dru të lartë, do të lirojnë tone të ulëta dhe kështu do të tërheqin më shumë shimpanze. /Telegrafi/