Telegrafi

Peja pëson humbje të thellë nga Teodo në Tivat

KB Peja ka hyrë në seri të dobët të rezultateve pasi është mposhtur në udhëtim te Teodo me rekord pikë të pranuara këtë sezon, 104-84.

KB Peja e nisi keq takimin, duke pësuar disavantazh në çerekun e parë prej 18 pikësh, teksa epërsia u thellua edhe në vazhdim të takimit.

KB Peja arriti të qëllojë vetëm 13 nga 29 tentimet për tri pikë, kurse realizoi vetëm 19 nga 41 tentimet për dy pikë.

Nga ana tjetër vendasit e Teodos kishin saktësi prej 65% prej dyh pikëve dhe 50% prej vijës së tri pikëshit.

Më i miri te Peja ishte Alban Veseli me 19 pikë, pesë kërcime dhe një asistim, pasuar nga Noah Dahlman me 18 pikë.

Te Teodo gjashtë lojtarë realizuan pikë dyshifrore, kurse më efikasi ishte Kusovac me 20 pikë, tetë kërcime dhe katër asistime.

Për KB Pejën kjo ndeshje ishte e parëndësishme pasi që është sfida e fundit e fazës grupore të Ligës Ballkanike. Peja është i vetmi klub që ka siguruar plasmanin tutje në fazën tjetër të kësaj gare.

KB Peja do të ketë rastin që të përgjigjet për dy disfatat në dy ndeshjet e fundit të shtunën në udhëtim te Trepça. /Telegrafi/