Skuadra e Pejës të mërkurën është mysafire e Levskit në Sofje të Bullgarisë në ndeshjen që do të luhet duke filluar nga ora 17:00 në kuadër të xhiros së katërt të Grupit D.
Pejanët në tri xhirot e para kanë arritur një fitore dhe dy humbje, kurse bilanc të njëjtë kanë edhe bullgarët. Duhet theksuar se Kozuvi, Peja dhe Levski janë që të tri këto ekipe që janë duke luftuar për një vend në gjysmëfinale të BIBL-së dhe me gjasa të barabarta për të vazhduar tutje njëra prej tyre.
Në duelin e parë ndërmjet Pejës dhe Levskit fitore patën shënuar bullgarët. Edhe Bashkimi të mërkurën do të luaj në Tivat të Malit të Zi, ndaj Teodos, me fillim nga ora 18:00, shkruan zëri.
Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Prizren, fitoren e shënuan malazezët. Në anën tjetër Bashkimi ka bilanc negativ në Grupin C pasi nga 3 ndeshje ka po aq humbje dhe kështu i kanë mbetur pak gjasa për të shpresuar për ndonjë kualifikim të mundshëm në gjysmëfinale të Ligës Ballkanike.