Drejtoresha e Drejtorisë për Rini, Kulturë dhe Sport në Pejë, Xheneta Syka, ka bërë të ditur se qyteti i Pejës do të marrë pjesë në ngjarjen kulturoro-sportive dhe artistike “Parada e Shqiptarëve” që do të mbahet më 28 Nëntor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Në një video të shpërndarë në Facebook, Syka njoftoi për pjesëmarrjen e formacioneve me përfaqësues të Pejës në këtë aktivitet.
“Peja do të prezantohet me formacionet më të mira që identifikojnë Pejën për një shekull. Do ta fillojmë parakalimin me klubin shekullor ‘Gjeravica’, pastaj do të pasohet nga ansambli i këngëve dhe valleve ‘Rugova’, pastaj me balerinat e shkollës profesionale Tajsim Dajçit.”, është shprehur Syka.
Ajo ka shtuar se parakalimi do të vazhdojë me trupën rezidente të teatrit ‘Istref Begolli’ në Pejë dhe me Universitetin “Haxhi Zeka,” i cili do të prezantohet me orkestrën frymore të Fakultetit të Arteve.
“Po ashtu ka për të vazhduar me parakalimin e trupës rezidente të teatrit ‘Istref Begolli’ pastaj do të jetë edhe Universiteti ‘Haxhi Zeka,’ i cili do të prezantohet me orkestrën frymore të Fakultetit të Arteve pranë Universitetit. Po ashtu të pranishëm do të jenë edhe basketbollistët e rinj dhe parakalimi i xhudistëve pejanë,” ka thënë ndër të tjera ajo transmeton Telegrafi.
Ky aktivitet organizohet nga Bashkia Tiranë dhe Unioni i Bashkive Shqiptare, në bashkëpunim me Shoqatën “Rrënjët Shqiptare,” dhe mirëpret për të dytin vit radhazi pjesëmarrës nga trojet shqiptare për të kremtuar 112 vite pavarësi dhe krenari kombëtare. /Telegrafi/