Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë, në ora 00:01 ka hapur fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, që mbahen më 11 qershor.
Kryetari i PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj pasi shpalli të hapur fushatën zgjedhore, i ftoi të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike të Kosovës që të bëjnë fushatë të qetë dhe të civilizuar, ashtu siç kanë bërë çdoherë. Ndërsa kërkoi nga qytetarët e Kosovës dhe veçmas nga ata të Prishtinës, që siç tha “t’i bashkëngjiten fitores sonë, Fillimit të Ri”.
“Kjo formë e manifestimit pra, është bërë tradicionale tani më në degën e Prishtinës dhe unë po e shfrytëzoj rastin, që të ftoj të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës, t’i votoni dy kandidatët që i kam pranë meje, Shemsi Veseli dhe Memli Krasniqi”, ka thënë Çelaj, i cili ua ka uruar fitoren dy kandidatëve për deputetë dhe fitoren e koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, raporton KosovaPress.
Nënkryetari i PDK-së dhe kandidati për deputet, Memli Krasniqi kërkoi që entuziazmi me të cilin po hymë në fushatë, të vazhdojë deri më 12 qershor.
“Këto fishekzjarrë që po i shihni jashtë, fiks pas 12 dike në këtë kohë, do t’i kemi shumë më madhështore, sepse do të jenë fishekzjarrët tradicionale të fitores të PDK-së dhe të koalicionit tonë”, tha Krasniqi.
Edhe kandidati tjetër për deputet nga radhët e PDK-së, Shemsi Veseli theksoi se fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës do të jetë e madhërishme, dhe i ftoi qytetarët që t’i bashkëngjiten PDK-së dhe të jenë pjesë e ekipit të fitores.