Site icon Telegrafi

PDK: Në muajin mars Kosova ka prodhuar rrymë më shumë se sa ka pasur nevojë – vendimi i ZRRE-së ishte i padrejtë

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, ka prezantuar të dhënat e shkëmbimeve energjetike gjatë muajit mars të këtij viti.

Sipas këtyre të dhënave, gjatë muajit mars Kosova ka prodhuar energji elektrike më shumë se sa ka pasur nevojë.

Ndaj, para gazetarëve, Ismaili ka thënë se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike, ka qenë i padrejtë.

“Në këtë muaj, sipas të dhënave, kemi prodhuar energji elektrike shumë më shumë se sa kemi pasur nevojë dhe kjo tregon se vendimi i ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike ka qenë i padrejtë. Faktet që kemi para jush, tregon se ai vendim i ZRRE-së ka qenë i panevojshëm”, ka deklaruar nënkryetari i PDK-së.

Lexo po ashtu Tahiri paralajmëron: Do ta padisim ZRrE-në, nëse nuk e zbaton vendimin e gjykatës për tarifat e energjisë elektrike

Ndërsa, Eliza Hoxha nga kjo parti, ka thënë se formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për energjinë është i domosdoshëm, ndërsa ka shtuar se pengimi i formimit të tij nga ana e Qeverisë është shkelje kushtetuese.

“Por, siç e kemi parë, kjo Qeveri nuk është hera e parë që bën shkelje kushtetuese. Dua të them se të gjitha faktet që i kemi prezantuar japin pasqyrë tjetër nga ajo që është thënë nga Qeveria, pra që prodhimi është i mjaftueshëm dhe se nuk bëhet fjalë për krizë energjetike”, është shprehur Hoxha.

Sipas saj, Qeveria Kurti pas shumë vitesh i ktheu reduktimet e rrymës, duke mos ndërmarrë hapa me kohë karshi të së ashtuquajturës krizë energjetike./Telegrafi/

Exit mobile version