Telegrafi

PDK në Mitrovicë: Me “Fillimin e ri”, rifillon jeta për shqiptarët e veriut

Me “Fillimin e ri”, do të rifilloj edhe jeta e re për banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës. Kështu premtuan kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, Jehona Shyti, Drita Kadriu, Rrustem Musa dhe Abdyl Salihu, gjatë një takimi me banorët e Kroit të Vitakut.

Gjatë këtij tubimi u tha se ndërprerja e procesit të rindërtimit të shtëpive në tre vjetët e fundit, shpërfaq nevojën për “Fillimin e ri”, për guximin dhe vendosmërinë që gjërat të lëvizin.

Kandidatët për deputetë thanë se procesi do të vazhdoj aty ku ka mbetur para tre vitesh. Ata u zotuan të jenë zëri i qytetarëve shqiptarë të veriut.

Kryetari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati, tha se në kohën e qeverisjes së PDK-së në veri janë rindërtuar më shumë se 200 shtëpi, janë përfunduar projekte të shumta në infrastrukturë etj.

“Këto projekte e patën rikthyer shpresën dhe patën krijuar mundësi për një jetë të re për banorët shqiptarë që kanë pronat në veri, por që gjithçka u ndërpre pasi mori mandatin Agim Bahtiri në Mitrovicë dhe qeverinë Isa Musatafa në Prishtinë”, tha ai.

Sipas tij, banorët e veriut janë dëshmitarët më të mirë për ata që punojnë dhe për ata që flasin dhe mashtrojnë. “Zgjedhjet e 11 qershorit paraqesin një moment kthese për këta qytetarë, të cilët e kanë kuptuar se vetëm “Fillimi i ri” dhe bartësit e këtij vizioni kanë guximin për të marrë vendime dhe veprime që përmirësojnë jetën e tyre”, tha ai.