Site icon Telegrafi

PDK-ja në Gjilan: Skandaloze, aktivistët e LVV-së ia ndërruan cilindrin zyrës së drejtoreshës së buxhetit

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan, Riad Rashiti, ka denoncuar një skandal të mundshëm në Komunën e Gjilanit, duke akuzuar aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për ndërhyrje pa autorizim në zyrën e drejtoreshës së buxhetit dhe financave.

Përmes një postimi në Facebook, Rashiti ka pretenduar se persona të afërt me LVV-në kanë ndërruar cilindrin e derës apo kanë kopjuar çelësin e zyrës së drejtoreshës, duke pasur qasje në hapësirën e saj pa leje, në kohën kur ajo nuk ishte e pranishme.

Sipas Rashitit, drejtoresha ka raportuar rastin në Policinë e Kosovës, e cila ka nisur hetimet për këtë çështje.

“Skandali i fundit i jashtëzakonshëm është se drejtoreshës së buxhetit në Gjilan, aktivistët e VV-së (familjar të një asambleisti të VV-së) ia kanë ndërruar cilindrin e derës së zyrës apo kanë bërë kopjimin e çelësit, duke ndërhyrë dhe pasur qasje pa leje në zyrën e saj, kur ajo nuk ka qenë e pranishme në punë. Për këtë rast, drejtoresha ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, e cila tashmë po kryen hetimet”, ka deklaruar Rashiti.

Ai gjithashtu ka akuzuar kryetarin e komunës, Alban Hyseni nga radhët e VV-së, për heshtje në lidhje me këtë rast, duke pretenduar se qëllimi është zëvendësimi i drejtoreshës me një anëtare të grupit të asamblistëve të VV-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit.

Më tej, Rashiti ka ngritur shqetësime për vonesat në raportimin financiar të komunës për vitin 2024, duke theksuar se ai ende nuk është dërguar në Kuvendin Komunal për shqyrtim.

Sipas tij, ka dyshime për keqpërdorime të shumta në shpenzimet e buxhetit komunal, ndërsa drejtoresha aktuale është anashkaluar në proces.

“Çdo ditë e më shumë po demaskohet qeverisja e korruptuar e Alban Hysenit, e cila ka humbur kontrollin. Muajt në vijim do të ketë edhe skandale të tjera të pabesueshme që do të dalin në shesh, ndërsa fundi i këtij pushteti do të jetë i turpshëm dhe tejet i dëmshëm për komunën tonë”, ka përfunduar Rashiti.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje dhe Komuna e Gjilanit ende nuk kanë dhënë ndonjë reagim zyrtar lidhur me këto akuza./Telegrafi/

Exit mobile version